Beqaj gati divorci nga qipriotet
Olimpiakos Nikozia po përgatit detajet e fundit për të zyrtarizuar “divorcin” nga Arjan Beqaj. Portieri shqiptar është kthyer në klubin qipriot pas operacionit në Belgjikë. Ai iu nënshtrua kontrolleve të stafit mjekësor të ekipit, ndërsa doktorët dolën në përfundimin se 35-vjeçari do të kthehet në fushat e lojës më vonë nga sa parashikohej. Për këtë arsye, drejtuesit e Olimpiakos vendosën të prishin kontratën me “gardianin” kuqezi, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet një takim ndërmjet palëve në mënyrë që gjithçka të realizohet me mirëkuptim. Ky vendim lidhet edhe me kërkesën e trajnerit Pambos Kristodulu, i cili i kërkoi bordit drejtues ta zgjidhte sa më shpejt këtë çështje, për të ndërhyrë pa humbur kohë në merkato. Si zëvendësuesin ideal të Beqajt, klubi nga Nikozia ka përzgjedhur një tjetër portier shqiptar: bëhet fjalë për Isli Hidin, që gjatë pjesës së parë të këtij sezoni ka mbrojtur ngjyrat e Dinamos në Kategorinë Superiore.