E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqaj heroi i takimit, Kristiano Ronaldo del duke qarë

Thjesht heroikë. Kuqezinj. Të jashtëzakonshëm. Ashtu siç i duam. Dhe na nderuan. Barazimi i madh në Portugali (0-0), i dyti pas atij ndaj Suedisë (0-0) në Tiranë.

Arjan Beqaj pas Zlatan Ibrahimoviçit ndali një tjetër kolos të futbollit botëror, Kristiano Ronaldon. Aq sa duket se dy golat e pësuar në katër takimet e para, janë thjesht një aksident i hidhur. Të pësuar nga Hungaria, rivalja jonë direkte.

Barazimi i sotëm me Portugalinë, ishte i pari me të në katër ndeshje: 3 zyrtare e 1 miqësore. Tashmë ndodhemi me pesë pikë, aq sa Portugalia (po 4 ndeshje,) e Suedia (3 ndeshje).

Por kemi rifituar moralin e dashurinë e tifozëve kuqezinj, të cilët i ngritën flamujt e banderolat edhe në Bragë. Forca Shqipëria. Forca Ari Han.

PJESA E PARË

Shqipëria ia doli të mbyllë pjesën e parë pa gola, edhe pse presioni i Portugalisë ishte shumë i lartë, çka solli edhe zëvendësimin e Elvin Beqirit me Admir Telin, por ky i fundit e la ekipin me dhjetë lojtarë nga minuta e 42-të.

Portugalia ngulmoi në 15 minutat e para, ku Alvesh goditi rrezikshëm portën tonë, por Beqaj reagoi shumë mirë në minutën e 8-të. Klodian Duro lëshoi një silurë diagonale nga më shumë se 30 metra, por sfera kaloi ngjitur me shtyllën pingule të portës hungareze të mbrojtur nga Kuin. Kristiano Ronaldo ndërmori disa veprime në krahun e djathtë, por pranë tij ishin shumë afër si Lorik Cana, Debatik Curri apo dhe Duro.

Kristiano Ronaldo ekzekutoi një goditje dënimi nga 28 metra në minutën e 21-të, por Beqaj grushtoi. Një minutë më pas tentoi Meireles, por Beqaj ishte i gatshëm.

Trajneri Han bëri shumë shpejt zëvendësimin e parë, kur në të 22 hodhi në fushë mbrojtësin Admir Telin në vend të shkodranit tjetër Elvin Beqiri.

Në minutën e 25-të Ervin Bulku goditi nga larg, por pa rrezik për portën portugeze. Në të 26’, Ronaldo fitoi një goditje të lirë ballore, pas faullit të Vangjelit, por gjuajtja e anësorit të Mançester Junaitid ishte shumë jashtë kuadratatit.

Një mundësi fantastike për Shqipërinë, Duro dha një top të artë në zonë, por as Bulku e Agolli nuk arritën ta shtynin topin në rrjetë në minutën 28-të.

Fernandez bashkëpunoi me Danin, ky i fundit me Ronaldon, i cili hodhi një top në zonën tonë, por i pashfrytëzuar nga lojtarët e tjerë portugezë.

Në minutën e 35-ë, Portugalia pretendoi për një penallti pas një veprimi të Agollit nga Ronaldos, por nuk ishte i këtij mendimi gjyqtari gjerman. Portugalia fitoi disa goditje ballore, dhe në goditjen e përsëritur të Ronaldos, - në të parën, për shkak të mos respektimit të distancë, Teli u ndëshkua me karton të verdhë - mund të kishte shënuar, topi i goditur nga portugezi u ndalua nga gjoksi i Beqajt, i cili nuk arriti ta presë topin, teksa u desh ndërhyrja e Telit, për të devijuar atë në goditje këndi e shmangur një gol të sigurt.

Në minutën e 39-të, kapiteni Lala ndërhyri ashpër ndaj Mutinjos, duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Agresiviteti i lojtarëve tanë vazhdoi, teksa në një duel shpejtësie Teli goditi me bërryl Kristiano Ronaldon, duke u ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuq. Shqipëria me dhjetë lojtarë nga minuta e 42-të. Edhe në dy minutat e shtesës së pjesës së parë nuk sollën asgjë për dy ekipet, por Shqipërisë i duhet të përballojë një pjesë të dytë me një lojtar me pak.

PJESA E DYTË

Fraksioni i dytë i ndeshjes nisi me zëvendësimin e Erjon Bogdanit me mbrojtësin Endri Vrapi. Portugalia sulmoi qysh në minutat e para, por Beqaj ishte në ditën e tij të mirë. Nervozizmi i vendasve, por dhe i trajnerit të tyre Keiroz, solli edhe zëvendësimin e njëhershëm në minutën e 54-të të Moutinjos e Danit, me Kuarezmën e Nanin. Disa shpërthime të luzitanëve, por një mbrojtje e kujdesshme e Shqipërisë, me Currin, por dhe me dublimet e Vrapit në zemër të mbrojtjes.

Lojtarët tanë mbulojnë shumë mirë, duke qenë njëkohësisht dy mbrojtës pranë dy lojtarëve të Mançester Junaitid, Ronaldos e Nanit.

Një moment shumë i vështirë, Almeda gjuajti me kokë, topi goditi shtyllën, e ndërsa sfera po drejtohej drejt rrjetës mbi vijën virtuale të bardhë, Beqaj arriti të thithë topin, duke evituar golin e sigurt në minutën e 68-të.

Në të 72’ Alvesh ndërhyri në mënyrë të parregullt ndaj Vangjelit në kokë, duke e lënë mbrojtësin tonë të shtrirë në tokë.

Trajneri Han hodhi në fushë Berishën në vend të Duros në minutën e 76-të, e në momentin e parë që pati topin shpërtheu, por Besarti u tregua egoist pasi mund të kishte pasuar te Skela, i cili ishte i lirë e mund të kishte shënuar golin për Shqipërinë.

Portugalia në ditë të vështirë, Keiroz nuk u beson syve, ndërsa tifozeria në “Estadio Municipal de Braga” fishkëlleu gjatë gjithë kohës.

Pranë autogolit Curri, në një devijim me këmbë drejt portës sonë,por Beqaj ishte i vëmendshëm, duke shmangur golin e sigurt në minutë ne 85-të.

Në të 86’ Beqaj bëri një ndërhyrje shpëtimtare, duke hequr me këmbë një top të goditur nga Nani pas asistit të Gomeshit.

Në minutën e 89-të, Kristiano Robaldo goditi me të majtën në kufijtë e zonës, por topi kaloi pranë shtyllës pingule.

Katër minuta shtesë për pjesën e dytë, që dukeshin si 240 sekonda ferri, por që Beqaj,lojtari më i mirë i Shqipërisë, Curri, Cana, Vangjeli (në një superformë) ia dolën ta mbyllin ndeshen pa gola, aq sa duket se humbja në Budapest (2-0) ishte tërësisht aksidentale. Kjo ishte ndeshja e fundit zyrtare për vitin 2008, teksa ajo e radhës është kundër Maltës në ishull me skuadrën që ende nuk a ka shijuar jo pikën e parë, por as golin e parë.

PORTUGALI – SHQIPERI 0-0

“Estadio Municipal de Braga”, data 15.10.2008, ora 21.45

Nd.Eiminatore, Grupi 1, “Botërori 2010”

PORTUGALIA: Kuim; Miguel (74’ Gomesh), Pepe, Alvesh, Ferreira, Moutinjo (54’ Kuarezma), Meireles, Dani (54’Nani); K.Ronaldo, Almeida,Fernandez

Trajner: Keiroz

SHQIPERIA: Beqaj; Beqiri (Teli 24′), Curri, Vangjeli, Agolli, Cana, Bulku, Lala, Skela, Bogdani (46’ Vrapi), Duro (76’ Berisha)

Trajner: Han

Gjyqtarë: Kirsher, Shifner, Bornhorst (Gjermani)

Kartonë të verdhë: Almeida 92’/Teli 36′, 42′, Lala 39′

Kartonë të kuq: Teli 42′

E Merkure, 15 Tetor 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›