E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han: Besoj te kualifikimi

Jetmir Halilaj (Panorama Sport) - Ishte në delir dhe këtë e ka shfaqur edhe në konferencën e djeshme për shtyp. Trajneri i përfaqësueses shqiptare është shprehur tejet i kënaqur për pikën e marrë dje në Portugali dhe ka përgëzuar skuadrën e tij për karakterin që tregoi në fushë.

“Ndihem i gëzuar. Nuk ka se si të mos jem, pasi arritëm të merrnim një rezultat shumë të mirë. Të dalësh nga fusha me një barazim, përballë një skuadre si Portugalia, madje në shtëpinë e saj, e për më tepër të luash një pjesë të mirë loje me një futbollist më pak, atëherë padyshim që kjo mund të cilësohet si një arritje për t’u vlerësuar nga të gjithë, – ka theksuar tekniku i kuqezinjve. – Jam i kënaqur nga loja e djemve të mi, sepse arritën të tregonin karakter të fortë. E kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe gjatë gjithë këtyre ditëve kishim bërë një punë shumë të madhe”.

Dhe gëzimi i holandezit është reflektuar edhe në deklaratat e mëpasshme, teksa ka thënë se Shqipëria është akoma në valle për t’u kualifikuar dhe se ai e kuqezinjtë do të shpresojnë gjer në fund, deri sa matematika t’ua lejojë një gjë të tillë. “Jemi ende në garë dhe jam shumë i kënaqur për këtë, sepse kemi treguar se mund të jemi surpriza e këtij grupi. Ne vazhdojmë të besojmë”, ka përfunduar holandezi.

Shqipëria aktualisht renditet në vendin e katërt, pasi ka grumbulluar pesë pikë, po aq sa ka edhe Portugalia e vendit të tretë dhe Suedia e vendit të pestë. Skuadra e drejtuar nga Ari Han arriti të reagonte mjaft mirë pas humbjes zhgënjyese në Budapest kundër Hungarisë.

Në fakt, kuqezinjtë e nisën mjaft mirë edicionin, pasi arritën të ndalnin Suedinë dhe më pas të fitonin ndaj Maltës, duke siguruar përkohësisht vendin e parë në Grupin 1 të eliminatoreve të Botërorit “Afrika e Jugut 2010”, por më pas pësuan një humbje të papritur ndaj Hungarisë, e cila përveçse shënoi dy golat, nuk bëri asgjë më shumë nga Shqipëria.

Kreu i pankinës kuqezi, Han, dhe skuadra morën shumë kritika për paraqitjen që bënë në Budapest të shtunën e kaluar, por korrigjuan gjithçka dje.

E Enjte, 16 Tetor 2008

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›