E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqaj nuk e ka ndërmend të ofrojë dorëheqje

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, nuk e ka ndërmend të ofrojë dorëheqje, me gjithë kërkesën e deputetëve të partive opozitare e shoqërisë civile. As gjendja e krijuar pas konfirmimit të gabimeve me faturat e energjisë elektrike nuk e lëkundin atë nga pozicioni i tashëm. Ai pritet të qëndrojë në postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, të paktën deri në ndryshimet eventuale të Qeverisë, meqë konsideron se nuk ka asnjë arsye që dorëheqjen ta japë tani.

“Ministri Besim Beqaj nuk do të japë dorëheqje, pasi që kërkesa që ai të japë dorëheqje për shkak të faturave të energjisë elektrike tregon se ata që kërkojnë dorëheqjen nuk i kanë të qarta obligimet dhe përgjegjësitë e ministrit të Zhvillimit Ekonomik”, ka interpretuar qëndrimin e Beqajt, këshilltari i tij politik për marrëdhënie me publikun, Gëzim Baxhaku, shkruan Koha Ditore.

Ai ka thënë se përgjegjësi e vetme e ministrit për Zhvillim Ekonomik është krijimi i politikave të zhvillimit ekonomik dhe hartimi i legjislacionit në lëmenjtë të cilët i mbulon.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga gazeta, Besim Beqaj, që është duke udhëhequr me Zhvillimin Ekonomik, pritet të largohet nga kabineti qeveritar për t’ia lëshuar vendin Mimoza Kusari-Lilës./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›