Kosova do dialog edhe për “temat e mëdha” ekonomike

Një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk pritet të firmoset pa marrë zgjidhje edhe temat e mëdha, si: dëmet e luftës; pensionet; borxhi i jashtëm; ndarja e pasurisë, përfshirë dhe arin; përcaktimi i pronave shoqërore të Kosovës në Serbi dhe anasjelltas, shkruan sot Koha Ditore.
Në tavolinën e baroneshës Catherine Ashton nuk është prezantuar për diskutim ndonjë temë e madhe e karakterit ekonomik, për të cilën Kosova dhe Serbia kanë mospajtime. Të tillat, bashkë me çështjen e të pagjeturve, pritet të vihen në rend dite tek në gjysmën e dytë të vitit.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se prioritet vazhdon të mbetet çështja e veriut. Kjo duhet të përmbyllet brenda muajit të ardhshëm dhe bashkë me të pritet t’u jepet zgjidhje kontesteve për energjinë dhe për transportin. Megjithëkëtë, marrëveshja gjithëpërfshirëse që mëtohet të firmoset në fund të procesit dialogues, sipas numrit dy të Qeverisë, duhet të përmbajë si anekse edhe marrëveshjet për “temat e mëdha” ekonomike.
Gjerësisht marrëveshja gjithëpërfshirëse Kosovë – Serbi, që nuk pritet të ndodhë pa marrë zgjidhje edhe një varg çështjesh të hapura./indeksonline/