Beqiri: Kujdes, një gol i tyre në Shkodër na eliminon!
Admir Uruçi
Rezultati pozitiv në Sligo nuk i bën shkodranët të jenë të prirur drejt vetëkënaqësisë. Pavarësisht këtij rezultati, ata nuk e kanë ndalur për asnjë moment punën, madje një gjë të tillë e kanë bërë menjëherë që pas ardhjes nga Irlanda. Për një nga mbrojtësit më të mirë të kuqebluve dhe njëherësh lojtar i ekipit tonë përfaqësues, Elvin Beqiri, asgjë nuk mund të quhet e përfunduar. Pavarësisht se fati ishte në anën e kuqebluve në takimin e parë, përsa i përket kualifikimit, nuk duhet të shikohet vetëm kjo gjë, por dhe zhvillimi i lojës, sidomos si ajo e pjesës së dytë në Sligo. “Nuk do të mendoja se jemi të kualifikuar. Ne e kemi parë nga afër tani kundërshtarin. Luante një lojë të ashpër dhe shumë të fortë. Shumëkush e shikon të lehtë këtë takimin e dytë, por unë dhe shokët e mi e shikojmë më të fortë se të parin”, thotë fillimisht Beqiri.
Loja
Ndërsa mbrojtësi komenton dhe rrjedhën e lojës në ndeshjen e parë. Sipas Elvinit, fati ka qenë në krahun e ekipit të Vllaznisë. “Kemi vuajtur shumë në minutat e para të takimit. Kemi pasur edhe shumë fat në ato minuta në të cilat mund edhe të ishim ndëshkuar dhe pastaj gjithçka do të ishte më e vështirë për ekipin tonë. Ndryshe mund të them për pjesën e dytë, ku ne na u rrit më tepër besimi në vetvete. Kemi qarkulluar më shumë topin dhe si rrjedhojë edhe arritëm të gjejmë golin e parë dhe më pas të dytin. Por ndoshta fati nuk ishte me ne në atë fund të takimit kur edhe u ndëshkuam. Nuk mendoj se e merituam, pasi gjithçka na u duk e dyshimtë, megjithatë kjo ka kaluar tanimë. Ne morëm një rezultat të stërmundimshëm, por që na dha shumë për takimin e dytë, në të cilin duhet të bëjmë kujdes në administrimin e këtij rezultati”, vazhdon Elvini.
Vazhdimësia
Mbrojtësi i ekipit tonë përfaqësues ka një kontratë me ekipin kuqeblu deri në fund të dhjetorit, por me shumë mundësi ai mund ta lërë Vllazninë që në këtë merkato. Vetë futbollisti ka pasur disa oferta nga jashtë Shqipërisë, por deri tani asnjë përgjigje për klubet nuk ka ardhur nga qendërmbrojtësi kuqeblu. “Nuk kam vendosur asgjë. Jam në të njëjtat ujëra, siç kam qenë edhe pak javë më parë. Kam oferta, të cilat më duhet t’i shikoj me shumë vëmendje, por në bashkëpunim edhe me drejtuesit e klubit kuqeblu. Prandaj nuk mund të them asgjë konkrete, nëse do të rri edhe këtë sezon me ekipin e Vllaznisë, apo do të lëviz. Këtë më mirë t’ia lë ditëve në vazhdim”, ka përfunduar prononcimin e tij, mbrojtësi i ekipit kuqueblu dhe atij përfaqësues, Elvin Beqiri.