Tentohet vjedhja e bankës në autostrad
TIRANE – Rojat e sigurisë së një banke private të nivelit të dytë, me zyra në autostradën që lidh kryeqytetin me Durrësin, denoncuan dje në polici tentativën për grabitjen e këtij filiali. Burime zyrtare nga komisariati nr.6 konfirmuan se ngjarja ka ndodhur gjatë natës së shtunë dhe mëngjesit të së dielës, kur xhamat e portës hyrëse të filialit të bankës janë thyer nga persona ende të paidentifikuar. Në mëngjes rojat e sigurisë kanë konstatuar këtë fakt dhe menjëherë kanë sinjalizuar shërbimet e policisë që mbulojnë zonën. Nga verifikimet në vendin e ngjarjes mësohet se, veç thyerjes së xhamit nuk ka pasur pasoja të tjera në filialin e bankës që ndodhet në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës, në zonën e Kasharit. Policia u shpreh se ende nuk ka persona të dyshuar për ngjarjen, ndërsa konfirmohet se në vendin e krimit janë gjetur dhjetëra shenja gishtash dhe mjete të forta të administruara në cilësinë e provave materiale që mund të ndihmojnë hetimin e ngjarjes. Policia ka marrë në pyetje dy rojat private të filialit të bankës, të cilët konfirmuan se me radhë kanë qëndruar në lëvizje rreth objektit gjatë gjithë natës, por nuk kanë parë persona të dyshuar me përjashtim të xhamit të thyer. Lëvizja e rojave duke se ka trembur autorët që janë larguar nga vendi i ngjarjes. t.s