Talentet dështakë të kuqezinjve
Leonard Karaj
Ata iu servirën Kombëtares shqiptare, ose asaj Shpresa si talente të padiskutueshëm. Por ja që u deshën shumë pak kohë që po ata të përgënjeshtronin vetveten. Ndonëse karriera e tyre startoi si mos më mirë me aktivizime në skuadra të nivelit të lartë, koha tregoi se ishin pikërisht ata, që vlenin pak ose aspak për fanellat që vishnin. Fakt është që tashmë shumica prej tyre luajnë jo vetëm me skuadra modeste, shumë pak të dëgjuara por edhe në kategoritë më inferiore të mundshme në kampionate të ndryshme evropiane. Dhe po të mendosh se deri para pak kohësh ata ishin pjesë e ekipeve përfaqësuese (Kombëtare ose Shpresa).
Mehmet Dragusha
Për të ish-trajneri i Kombëtares, Hans-Peter Briegel, bënte kryq. Ishte ai që ngulmoi që kosovari të pajisej me pasaportë shqiptare dhe ishte po ai që i dha një shans si mesfushor krahu tek kuqezinjtë. Madje, karriera e tij falë aktivizimit me Kombëtaren shqiptare mori një rrjedhë të shkëlqyer, teksa firmoste edhe për Eintraht Frankfurt. Por te kjo skuadër, Dragusha mundi të qëndrojë shumë pak, duke u aktivizuar me pikatore. Aktualisht talenti i Brigelit luan në Bundesliga 4 tek FC Magdeburg.
Blerim Rrustemi
Edhe këtij i erdhi fati në derë, teksa Bariç kërkonte një mbrojtës të fuqishëm në largim e sipër të Besnik Hasit. E gjeti te Monshengladbah në Bundesliga 2. Falë ndërhyrjes të drejtuesve të FSHF-së u pajis në kohë rekord me një pasaportë shqiptare dhe ishte gati të luante për kuqezinjtë ndaj Sllovenisë më 24 mars 2007. Por edhe këtij, ashtu si Dragusha, iu desh shumë pak për të treguar se ishte larg atij futbollisti që kishin folur me aq shumë superlativa. Ndeshja me Rumaninë në Bukuresht tregoi limitet e Rrustemit. Aktualisht konsiderohet si një futbollist i lirë, pasi nuk ka kontratë me asnjë skuadër.
Labinot Haliti
E sa u shkrua për këtë. U dërguan fakse e u bënë telefonata me Australinë e largët. E mor edhe në zbore me ekipin Shpresa. Madje u angazhuan edhe për t’i gjetur një skuadër evropiane. Bilanci: pas një sezoni jo shumë të keq te Teuta e Durrësit, ku të paktën aktivizohej largohet te LKS Lodz në Poloni ku më së shumti ngroh pankinën.
Bekim Kastrati
Gati e kryqëzuan tifozët kuqezinj pas ndeshjes me Rumaninë në Tiranë (0-2), ku pas vetëm 2 minutash lojë jep një top absolutisht të gabuar prapa, që rezultoi në fakt një asist për sulmuesin rumun, i cili shënonte golin e parë dhe të avantazhit. Kaq iu desh edhe Kastratit që të tregonte se jo vetëm për sulmues që ishte nën nivel, por edhe si mbrojtës ishte larg frymës pozitive. Pas mosaktivizimit më me Kombëtaren dhe një dëmtimi të gjatë përfundoi në Bundesliga 3, te Fortuna Dyseldorf.
Xhulian Rrudho
Pesë minuta ndaj Milanit me fanellën e Kievos çuan gjithë mediat shqiptare në Divjakë, në vendlindjen e tij. Trajneri i Shpresave, Artan Bushati, e thirri menjëherë në grumbullim, por ai nuk solli asgjë nga çfarë pritje. Klubi i Kievos e dha në huazim te Sansovino në Serie D, ku edhe këtu më shumë qëndroi në pankinë. Gjatë verës bëri disa testime në Poloni e Ukrainë, por rezultoi i dështuar. Firmosi për Partizanin e Bert Xhanit, por edhe këtu nuk gjeti rehat dhe pas më as shumë se tri ditësh i dha lamtumirën. Më pas kaloi te Tirana, ku u aktivizua vetëm për disa minuta.
Jurgen Gjasula
Ai hodhi poshtë atdheun e tij, Shqipërinë, me idenë se Gjermania, vendi që prodhon me mijëra talente çdo vit, do të kishte nevojë për të. Iu bënë ftesa të herëpashershme si nga drejtuesit e Federatës Shqiptare, por edhe nga ish-trajneri Bariç. Bilanci: Gjasula i qëndroi fort mendimit të tij. “Nuk vij në Shqipëri se do luaj me Kombëtaren gjermane”. Ndërsa tani jo vetëm me Kombëtaren gjermane që nuk ka asnjë shans që të luajë, por nuk ka asnjë konsideratë qoftë edhe nga drejtuesit aktualë të Kombëtares shqiptare. Një talent i dështuar që në nisje. Është pjesë e Baselit në Zvicër, por më së shumti qëndron në pankinë.
Sokol Kaçani
Kur shënoi tre gola me ekipin e Shpresave të gjithë i kthyen sytë nga ai. Ca nuk vonuan ta quanin “Majaci i dytë”. “I rregulluan” një skuadër jashtë Shqipërisë, me qëllim që të stërvitej më mirë dhe të kishte një karrierë më dinjitoze, por ai nuk mundi të shkonte më larg se Kategoria e 3, në Gjermani. Aktualisht Kaçani luan te SpVgg Weiden (Bundesliga 5, Gjermani) dhe nuk është në asnjë listë të ekipeve kombëtare.
Henri Shiba
Përveç akuzave në drejtim të trajnerit të Shpresave, Artan Bushati, se gjoja i kishte kërkuar para që të aktivizohej me skuadrën, Henri Shiba zor se do të mbahet mend për gjë tjetër. Të paktën jo në futboll. Në fakt, karriera e 20-vjeçarit vazhdon të marrë të tatëpjetën, teksa vazhdon të luajë ende në kategoritë inferiore në Itali. Gjithsesi, ngushëllimi i vetëm për të mund të jetë fakti që të paktën ai është titullar te Çelano në Serie D1.
Denis Boshnjaku
Edhe ky është një “talent” i zbuluar nga tekniku aktual i shpresave, Artan Bushati. Por në këto momente edhe ai nuk beson më tek ish-patrioti i tij. Boshnjaku duhej të ishte futbollisti që do të bënte diferencën në krahasim me të rinjtë që erdhën dy vite më parë në ekipin Shpresa. Pas pesë vitesh në skuadra inferiore në Itali (Kategori të Tretë) tentoi për më lart. Shkoi në Kategori të Pestë në Gjermani te FC Oberneuland, ndërsa sezonin e fundit luajti me Rot Weiss Ahlen II në të njëjtën kategori.
Olsi Llakaj
Ndërsa Olsi Llakaj është “zbulimi” i Hasan Likës, kur ky i fundit drejtonte skuadrën përfaqësuese të Shpresave të Shqipërisë, 5 vite më parë. Llakaj është rritur si futbollist në Gjermani te Rot Weiss Essen dhe vetëm ky fakt asokohe mjaftoi që ai të thirrej në ekipin e Shpresave. Por nuk vonoi shumë për të parë se “talenti” që prisnim kishte pak lidhje me futbollin. Provoi edhe Superligën shqiptare para një sezoni, natyrisht pa prekur top në ndeshje zyrtare. Aktualisht luan te Germania Gladbeck në Bundesligën e 5-të gjermane.