E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, një sektor për mbivendosjen e pronave

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Krijohet një sektor i veçantë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shkodër, me qëllim verifikimin e të gjithë ankesave të qytetarëve për mbivendosje pronash apo tjetërsim të tyre. Kërkesat e vazhdueshme të të interesuarve për problemet që ata kanë hasur ndër vite me pronat e tyre, bëri që ZRPP-ja të evidentojë një për një veprimet që janë kryer në kundërshtim me ligjin. Mësohet se gjatë vitit 2009 janë depozituar pranë këtij institucioni 15 kërkesa, prej të cilave janë nxjerrë gjashtë vendime. Nga këto, 2 raste ishin për mbivendosje të pronës, 3 të tjera për paligjshmëri regjistrimi dhe një rast që është refuzuar. Këtë fakt e pohoi dje kryeregjistruesi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, Paulin Zadeja. “Për mënjanimin e këtyre problemeve, ne kemi punuar seriozisht. Është detyra jonë që të sqarohen problemet deri në fund. Gjatë vitit 2008 ka pasur 40 kërkesa për mbivendosje dhe paligjshmëri regjistrimi. Nga këto ka dalë vendim për 35 raste, ndër të cilat 4 mbivendosje, 16 paligjshmëri regjistrimi, 15 refuzim kërkesash”, pohoi Zadeja, i cili më pas renditi edhe shifrat e mësipërme të vitit 2009. Por kreu i ZRPP-së renditi vetëm shifrat zyrtare, të cilat janë verifikuar nga ana e zyrtarëve të tij. Janë edhe një sërë rastesh të tjera abuzive, kryesisht të mbivendosjeve, për të cilat ankohen qytetarët, por nuk kanë bërë një kërkesë zyrtare për verifikimet sipas ligjit.
Sipas Zadesë, zyra e hapur së fundmi për shkak të kërkesave në rritje, ka nisur punë edhe për dosjet e ardhura nga ALUIZNI.
“Nga ALUIZNI na kanë ardhur 90 dosje në një rreth kohor prej një muaji. Prej këtyre, 27 qytetarë kanë aplikuar për certifikatë pronësie, 18 prej tyre kanë marrë dokumentet e pronësisë brenda fateve 15 ditore ligjore”, tha Zadeja. Zyra e Regjistrimit të Pasurive, tashmë ka një mbingarkesë pune. Duke iu referuar shifrave, vetëm gjatë dy muajve të fundit janë kryer rreth 2300 shërbime. Këtu futen certifikatat e pronësisë, kontratat e hipotekimit në banka etj. ndërsa po punohet për shpronësimet në rastet e investimit të rrugëve apo HC e Ashtës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›