Berat, pllakata për UNESKO-n “fshihet” përtokë mes barit
BERAT – Pas hyrjes në UNESKO të qytetit të Beratit, ky eveniment është konkretizuar dhe me një pllakatë. Por, ndonëse simboli tregues duhet të ishte i dukshëm për sytë e turistëve, ai është fshehur në një zonë ku në dimër mbulohet nga dheu, ndërsa në verë nga barishtet. Specialistët e qytetit-muze disa herë janë shprehur me tone negative ndaj këtij veprimi. Një vit më parë Berati ka marrë lajmin e mirëpritur prej vitesh të futjes së qytetit tyre në UNESKO. Kur kjo u arrit, drejtuesit e bashkisë përgatitën një pllakë memoriali. Por, për çudi, simboli mbi të cilin është shënuar në shqip dhe anglisht futja e qytetit të Beratit në organizatën e ruajtjes së trashëgimisë botërore, është vendosur në një vend që zor se duket. Ajo ndodhet në periferi të lagjes muzeale, “Mangalem”, e vendosur në tokë. Specialistë, por dhe qytetarë të ndryshëm pohojnë se pllakata, si nder i vlerave të qytetit duhet të ishte vendosur në lartësi, e dukshme për të gjithë. Një numër i madh intelektualësh janë shprehur se do të organizohen për të ndërtuar, pikërisht pranë lagjes “Mangalem” një piedestal ku të vendoset memoriali me mbishkrimin: Berati, qytet në UNESKO. Sipas tyre, kjo do të jetë dhe pamja e parë e turistëve, si vendas e të huaj. d.xh