E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dhëndri vrasës, s’e dinim për armën”

 

Trazhgim Sokolaj

Emigranti që vrau vjehrrin, djalin dhe më pas edhe veten duket se ishte treguar hermetik në planin e tij, pasi asnjë nga anëtarët e familjes apo të njohurit nuk ka qenë në dijeni se Petrit Zaimi mbante armë zjarri me vete. Familjarët e 40-vjeçarit u morën në pyetje nga grupi hetimor i policisë, i cili kërkoi sqarime në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Allias të Tiranës. Sipas deklarimeve nga familjarët e Petrit Zaimit, ai ishte kthyer një javë më parë nga Greqia, ku qëndronte në emigracion bashkë me djalin e tij, Klevis Zaimi, 13 vjeç, të cilin e vrau pasi qëlloi vjehrrin dhe vjehrrën. Pasi ishte kthyer nga Greqia mësohet se emigranti ka qëndruar në familjen e tij në jug të vendit për disa ditë, ndërsa të premten në ora 8 të mëngjesit është nisur në drejtim të Tiranës, duke marrë me vete edhe djalin 13-vjeçar. Të afërmit i thanë policisë se Petrit Zaimi kishte treguar se po vinte në Tiranë për një takim me vjehrrin e tij Azbi Gjoni, ku do të bisedonin mundësinë e rikthimit të Brunildës, gruas me të cilën emigranti ishte divorcuar pas lindjes së dy fëmijëve. Sipas dëshmisë së familjarëve të autorit të krimit në polici, ai ka qenë i mërzitur nga divorci, por nuk kishte shprehur kërcënime apo paralajmërime për ngjarjen e rëndë që ndodhi të premten në kryeqytet. Askush nuk e dinte për armën që ai mori me vete gjatë udhëtimit në Tiranë deri tek vizita në shtëpinë e vjehrrit të tij. Familjarët dhe të afërmit e Petrit Zaimit kanë pohuar në polici se nuk kanë qenë në dijeni të faktit se 40-vjeçari mbante armë me vete. Megjithatë mesditën e së premtes, pasi ka mbërritur në shtëpinë e vjehrrit të tij Azbi Gjoni në Allias, Zaimi ka qëlluar me armë 79-vjeçarin e më pas edhe vjehrrën Nadiren, e cila është plagosur rëndë. Në këtë kohë njëri prej plumbave qëlloi edhe djalin e Petrit Zaimit, 13-vjeçarin Klevis Zaimi. I mituri humbi jetën më pas gjatë transportit për në spital, ndërsa babai i tij emigrant në Greqi, siç duket, në gjendje të rënduar emocionale, qëlloi më pas edhe veten, duke kryer vetëvrasje në shtëpinë ku kishte qëlluar me armë tre personat e afërm. Policia është përballur me dëshmi të tjera kur ka marrë në pyetje të afërmit e Azbi Gjonit, 79-vjeçarit që humbi jetën nga plumbat e dhëndrit. Burimet nga hetimi thanë se të afërmit e Azbi e Nadire Gjonit kanë qenë në dijeni se dy prindërit e gruas së Petrit Zaimit kanë qenë disa herë objekt presionesh e kërcënimesh nga dhëndri i tyre. “Nuk e prisnim që Petriti të arrinte deri këtu sa të vriste Azbiun, edhe pse mes tyre ka pasur debate të vazhdueshme. Petriti ndonjëherë ka qenë i ashpër, ka bërë edhe paralajmërime, por përsëri kjo që ka ndodhur nuk pritej”, mësohet të kenë thënë në polici të afërmit e 79-vjeçarit.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›