E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqiri: Papunësia, problem për rininë kosovare

Prishtinë (Start) - Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), i mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), organizoi konferencën “Perspektiva evropiane për rininë kosovare: rinia në veprim 2007-2013 dhe përfitimet", me qëllim të aktualizimit të çështjes së perspektivës evropiane të Kosovës gjatë presidencës franceze të Bashkimit Evropian (BE).

Në këtë konferencë ishin të pranishëm Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Valton Beqiri, znj. Delphine Borione, Ambasadore e Francës në Prishtinë, z. Eckart Blaurock, Zëvendësambasador i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, si dhe znj. Venera Hajrullahu nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur.

Ministri Beqiri, në fjalën e tij të rastit, tha se puna për të si Ministër i Rinisë është një përgjegjësi e madhe dhe sfidë, sepse rinia e këtij vendi ballafaqohet me një papunësi të madhe, mungesë të perspektivës dhe me kushte jo të mira për jetë. Gjithashtu, ai theksoi se të qenët ministër është privilegj, sepse dyzet përqind e popullatës së vendit është nën moshën 25 vjeçare. Kjo pjesë e çmueshme e shoqërisë, shtoi Ministri Beqiri, është një potencial i fortë i zhvillimit të Kosovës.

Në vazhdim, Ministri Beqiri tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të përmirësohen kushtet e jetesës së rinisë kosovare, duke ofruar një sistem cilësor të edukimit, mundësi të organizimit, pjesëmarrje në proceset e vendimmarrjes, me çka energjia rinore në Kosovë do të kanalizohej dhe do të shndërrohej në katalizator të zhvillimit të vendit.

Një nga prioritet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha më tutje Ministri Beqiri, është krijimi i infrastrukturës dhe i mundësisë për qasje të rinisë kosovare në programet, në projektet dhe në fondet evropiane, me çka rinia kosovare do ta ndjente veten pjesë e Evropës.

Në fund të fjalës së tij, Ministri Beqiri u zotua se ministria të cilën ai e drejton edhe më tutje do të vazhdojë ta mbështesë zhvillimin e rinisë kosovare. Sipas tij, rinia nuk duhet të konsiderohet vetëm si e ardhmja e vendit, por ajo duhet të shihet edhe si forcë motorike për të sotmen e Kosovës.

Ndërkaq, znj. Delphine Borione, Ambasadore e Francës në Prishtinë, tha se kjo konferencë ka rëndësi të posaçme, sepse perspektiva e rinisë është në interes të këtij vendi, duke shtuar se Kosova është pjesë e Evropës. Duhet të punohet vazhdimisht, tha ajo, në mënyrë që, në të ardhmen, Kosova të jetë pjesë e gjirit të familjes së madhe evropiane – Bashkimit Evropian.

Zëvendësambasadori i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, z. Eckart Blaurock, tha se Qeveria Gjermane e mbështet Shkollën për Integrime Evropiane dhe misionin e saj. Qëllimi i Bashkimit Evropian, theksoi ai, nuk është vetëm aspekti ekonomik, por edhe krijimi i urave të miqësisë midis popujve dhe vendeve të ndryshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›