E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poezia është pasqyrim i shpirtit të popullit

Tiranë (start)-"Poezia është pasqyrimi i shpirtit të një populli dhe në këtë rast Shqipëria ka shumë për të thënë", u shpreh abanologu Robert Elsie të premten gjatë promovimit të botimit të tij në anglisht "Antologjia e poezisë shqipe" me rreth 277 poezi të zgjedhura nga 48 autorë të njohur, në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Tiranë, në prani të studiuesve, shkrimtarëve si dhe njerëz të kulturës dhe artit.

Ministri i TKRS-së Ylli Pango e quajti një ngjarje vërtet të rëndësishme në historinë e letërsisë shqipe. "Pa kufij kohorë, ideologjikë e as politikë, aty përfaqësohet si poezia popullore, ashtu dhe rilindasit, si poetët klasikë, dhe ata bashkëkohorë, si poetët katolikë dhe ata myslimanë, si krijuesit shqiptarë ashtu dhe ata kosovarë apo arbëreshë", theksoi ministri Pango.

Ndërsa albanologu i njohur Robert Elsie, e cilësoi antologjinë të një cilësie të lartë letrare. Sipas tij, përkthimi në anglisht i saj është një hap i madh për njohjen e Letërsisë shqipe në botën anglishtfolëse. "Kjo antologji duke qenë se është antologjia e parë historike e përkthyer, ndër emrat më të njohur të letërsisë shqiptare janë përfshirë Fishta, Pjetër Bogadani, De Rada, Serembe, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Cajupi, Asdreni, etj. Poezia në letërsi në përgjithësi duhet lexuar në gjuhën e mirëfilltë, ndërsa përkthimi është vetëm një mjet që ndihmon në transmetimin e njohurive të kulturës shqiptare, por nuk është e përkryer"', tha Elsie.

Robert Elsie ka lindur në vitin 1950 në Vankuver, Kanada. Ai studioi në Universitetin Britanik të Kolumisë, ku u diplomua në 1972 për Studime Gjuhësisë dhe Letërsisë Klasike. Në vitet e më pasme, ai ndoqi studimet dhe kualifikimet e ndryshme pasuniversitare në Universitetin e Berlinit, Universitetin IV në Paris, në Institutin e studimeve të avancuara të Dublinit në Irlandë dhe në Universitetin e Bonit, ku përfundoi doktoratën në vitin 1978 në Institutin e Gjuhësisë.

Robert Elsie është autor i një sërë librash dhe artikujsh, veçanërisht mbi aspekte të ndryshme të Kulturës Shqiptare dhe asaj të huaj. Disa nga veprat e botuara nga Robert Elsie janë: "Shqipëria dhe Kosova në ngjyra 1913", "Antologjia e Poezisë Shqipe", "Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje", "Kosovë, Mali i Zi, Ohër", "Azem Shkreli", vëllimi poetik "Penda e përgjakur (Blood of the quill)", si dhe përkthime të autorëve shqiptarë si Fatos Kongoli, romani i Humburi ( The Loser), Letërsia shqipe: një histori e shkurtër, studim, Tregime moderne shqiptare (modern Albanian short stories) antologji, Gjergj Fishta, Lahuta e Malcisë (The Highland Lute), Visar Zhiti, vëllimi poetik : Mollë e dënuar (The condemned apple), etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›