E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braziliani Ronaldo mund të kalojë tek skuadra e Beshiktashit

Stamboll - Sulmuesi brazilian, Ronaldo, mund të nënshkruajë një kontratë me skuadrën turke të Beshiktashit. Lajmin e kanë publikuar sot mediat turke, të cilat njoftojnë se menaxheri i lojtarit, Huan Figer, është takuar me drejtuesit më të lartë të skuadrës së shqiponjave.

Ronaldo akoma nuk e ka marrë veten pas operacionit në gjurin e djathtë që në muajin shkurt. “Fenomeni” aktualisht ndodhet pa skuadër, pasi marrëveshja e tij me Milanin ka skaduar që në fundin e qershorit të këtij viti. Lojtari mund të kalojë në kampionatin turk me parametra zero.

Aktualisht nuk flitet për shifra, por sipas zërave marrëveshja mund të arrihet shumë shpejt. Kampionati turk mund të bëhet i pesti për Ronaldon, pasi më parë ka luajtur në Brazil, Holandë, Spanjë dhe Itali.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›