E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqiri: “Shanset më shumë për Kupën Intertoto”

Nga Dash Frashëri
- "Ndihem në formë optimale". Elvin Beqiri flet ekskluzivisht nga Dontesku për Albania-sport.com. "Më e rëndësishmja është që trajneri Co Adrianse është i kënaqur me mua. Për këtë flet edhe aktivizimi im i përjavshëm", shton Beqiri, që tashmë është kthyer në një lider të mbrojtjes së Metalurg Donteskut. Të shtunën e kaluar Metalurgu fitoi 2-1 me Kribvasin e Ndrekës dhe Bylykbashit dhe tashmë ndodhet në vendin e tetë me 29 pikë. "Këtë të shtunë do të përballemi në transfertë me Zarya, që ndodhet në vendin e parafundit me 21 pikë. Është një takim i vështirë pasi në shtëpi janë shumë të fortë", pohon Elvini. Në fazën e parë Metalurgu fitoi me rezultatin e ngushtë 3-2, por mbrojtësi shqiptar nuk ishte thirrur në atë ndeshje. "Në atë kohë isha i dëmtuar dhe në rikuperim e sipër", saktëson Beqiri. Elvini beson se ekipi i tij do të marrë pjesë në Europë edhe më të mundshme sheh Kupën Intertoto. "Jemi vetëm 5 pikë larg vendit të pestë (Tavriya) kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje dhe kemi shumë mundësi ta kapim atë vend". Beqirit i vjen keq që nuk mund t'i përgjigjet thirrjes për ndeshjen miqësore me Anglinë. "E rëndësishme është të zhvillojmë një ndeshje të mirë. Një rezultat pozitiv do të na nderonte". Së fundi, edhe një mendim i shpejtë për ndeshjen zyrtare me Luksemburgun. "Pas dy barazime me Slloveninë dhe Bullgarinë na duhen dy fitoret me Luksemburgun".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›