Beqiri, drejt azerëve të Khazar Lankaran
Pas aventurave në Ukrainë, Rusi dhe Izrael, mbrojtësi 29-vjeçar ka si objektiv aktivizimin në një tjetër kampionat jashtë Shqipërisë
Mbrojtësi i Kombëtares po stërvitet prej tri ditësh me “çelsin Kaukazian” në Antalia
Elvin Beqiri është pranë transferimit te Khazar Lankaran në Premierligën e Azerbajxhanit. Prej tri ditësh, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ndodhet në Antalia të Turqisë, ku po stërvitet me ekipin që ndryshe quhet “çelsi Kaukazian”. Pasi ka përfunduar kontratën me Vllazninë, 29-vjeçari cilësohej si një prej objektivave të merkatos, madje ai ka diskutuar edhe rreth një marrëveshjeje konkrete me blutë, të cilët po dominojnë në këtë edicion të Kategorisë Superiore. Megjithatë, objektivi kryesor i lojtarit ka qenë gjithmonë që të luante jashtë Shqipërisë: kjo jo vetëm prej kushteve më të mira financiare, por edhe sepse në këtë mënyrë ai do të ishte pjesë e planeve të trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe, për eliminatoret e Euro 2012. Beqiri nuk është një emër i panjohur për azerët; lojtari mbahet mend në shtetin euroaziatik për kartonin e kuq, që mori në miqësoren e nëntorit 2008, kur Shqipëria barazoi 1-1 pas një vendimi skandaloz të arbitrit gjeorgjian, Lasha Sligava. Nëse transferimi zyrtarizohet, Khazar Lankaran do të jetë skuadra e gjashtë në karrierën si profesionist të Elvin Beqirit dhe e pesta jashtë Shqipërisë. Në vitin 2003, mbrojtësi u largua pas katër sezoneve me Vllazninë, skuadrën ku u afirmua si futbollit, drejt Metalurg Donjeck në Ukrainë. Pas dy sezoneve, në vitin 2005 shkodrani u transferua tek Alania në Rusi, por vetëm pak muaj më pas, ai u “xhirua” tek izraelitët e Makabi Tel-Aviv. Në vitin 2006, Beqiri u kthye sërish te Metalurgu në Vyscha Liga dhe pas një sezoni e gjysmë, skuadra e huazoi për gjashtë muaj tek Arsenali i Kievit. Prej vitit 2008, ai ishte bërë pjesë e Vllaznisë në kampionatin shqiptar, një periudhë të cilën e ka shfrytëzuar kryesisht për t’u rikuperuar plotësisht nga një dëmtim shumë i rëndë në këmbë.
Khazar Lankaran
Momentalisht, Khazar Lankarani është një prej skuadrave më të rëndësishme në Azerbajxhan, së bashku me Neftiçi Bakunë: ndeshjet ndërmjet tyre njihen ndryshe si derbi i kampionatit vendas. Ata cilësohen “çelsi Kaukazian”, për shkak të burimeve të mëdha financiare. President i klubit është Mubariz Mansimov, i cili renditet i shtati në klasifikimin e njerëzve më të pasur në botë sipas revistës së specializuar “Forbes”. Biznesmeni 41-vjeçar, i lindur në Baku, është themeluesi i “Palmali Group of Companies”, që përfshin televizionin “Palhaber” dhe radion “PAL FM”, më 1 mars të vitit 2009 është shpallur miliarderi më i ri në Turqi, vendi ku aktualisht banon. Falë kontributit të jashtëzakonshëm të Mansimov, edhe pse Khazar Lankaran është formuar si klub në vitin 2004, ata kanë fituar një titull kampion në Azerbajxhan (sezoni 2006-‘07) dhe dy Kupa (sezonet 2006-‘07 dhe 2007-‘08). Në sezonin aktual, Khazar renditet në vendin e tretë në kampionat, ku pas 17 javëve të luajtura ka grumbulluar 35 pikë, aq sa edhe Karabak e mbrojtësit tjetër shkodran, Admir Teli, i cili ndodhet në vendin e dytë. Kampionati kryesohet nga Inter Baku (skuadra që është interesuar për mesfushorin kuqezi Elis Bakaj), me 36 pikë.
#