E ardhmja e Schalkes

Qysh në stërvitjen e parë, futbollisti shqiptar nga Maqedonia, Besart Ibraimi, i ka bindur udhëheqësit e Schalke 04 se nuk kanë gabuar kur e transferuan atë nga Renova e Xhepçishtit.
23 vjeçari ka nënshkruar kontratë për tri vjet e gjysmë. Klubi gjerman e konsideron atë si perspektivë të ekipit dhe do të mundohet ta përforcojë sulmuesin shqiptar, në mënyrë që ai të jetë i gatshëm për sezonin e ardhshëm.
“Do të qëndrojë tri vjet e gjysmë tek ne. Mënyra se si është prezantuar në trajningun e parë, jemi të gëzuar që e kemi angazhuar atë. Ai luan me të dyja këmbët, ka teknikë të mirë, mundet të godasë nga distanca, di të driblojë dhe ai është mësuar në ekipin e tij të kaluar të luajë vetëm, individualisht”, deklaroi trajneri Felix Magath për uebfaqen zyrtare të klubit.
Trajneri gjerman shtoi se Ibraimit i nevojitet kohë për t’u ambientuar. “Ai ka luajtur në një ligë më të ulët se kjo e jona (në Maqedoni), dhe ende nuk e ka tempon që nevojitet për Bundesligë. Por, me kohë, ne do ta sjellim deri aty”, vazhdoi ish trajneri i Bayern Munchen.
Sipas mediave gjermane, Schalke ka shpenzuar 500 mijë euro për transferimin e futbollistit Ibraimi, të cilin ka mundur ta merrte pa para verën që vjen.
“Ai ka qenë i lirë, ka mundur të vijë pa dëmshpërblim gjatë verës, por duke e pasur parasysh se ka luajtur në një ligë të ulët, i nevojitet ca kohë për t’u ambientuar. Kemi vendosur ta angazhojmë tani, në mënyrë që sezonin e ardhshëm të jetë i gatshëm që nga fillimi. Ky është një investim dhe angazhim për të ardhmen”, pohoi Magath.
Stinorin e kaluar, Ibraimi, që me gjermanët nënshkroi deri më 30 qershor të vitit 2013, ka shënuar 13 gola në 26 ndeshje të kampionatit të Maqedonisë, ndërsa këtë sezon, ai ka shënuar tetë gola në dhjetë ndeshje. Ibraimi ka zhvilluar pesë ndeshje për Përfaqësuesen e Maqedonisë.