Shqipëria U-21, miqësore me Maqedoninë më 3 mars
Marrëveshja
Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë do të luajë më 3 mars një ndeshje miqësore përballë Maqedonisë. Lajmi është konfirmuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, që ka gjetur një kundërshtar edhe për kuqezinjtë “e vegjël” në datën e lirë të FIFA-s. Në të njëjtën ditë, Kombëtarja “A”, e drejtuar nga Josip Kuzhe, do të luajë në stadiumin “Qemal Stafa” me Irlandën e Veriut. Takimi me bashkëmoshatarët maqedonas është ndeshja e parë zyrtare, por synohet të mos jetë e fundit, për skuadrën e drejtuar nga Artan Bushati në vitin 2010. Në të ardhmen pritet që 21-vjeçarët të zhvillojnë edhe disa takime të tjera miqësore, duke qenë se ndeshja e vetme për eliminatoret e Kampionatit Europian për këtë vit kalendarik do të jetë ajo e 5 shtatorit përballë Azerbajxhanit. Ndërkohë, të hënën trajnerët Artan Bushati dhe Ramadan Shehu do të zhvillojnë grumbullimin treditor me talentet shqiptarë që jetojnë dhe luajnë në Greqi. Ky seleksionim, ku pritet të marrin pjesë afro 100 futbollistë nga mosha 19 deri në 21 vjeç, do të vëzhgohet edhe nga trajneri Kuzhe dhe asistenti i tij, Xhemal Mustedanagiç. Drejtuesit e stolit kuqezi, në bashkëpunim me dy trajnerët e moshave, do të japin vlerësimet rreth kualitetit të futbollistëve.
#