Rudolf Marku dhe Visar Zhiti në një antologji ndërkombëtare

Mund të quhet fat, përfshirja e dy autorëve të
brezit të mesëm shqiptar në një nga antologjitë e sotme ndërkombëtare.
Gjithsesi, të dy e kanë arritur me punën dhe krijimtarinë e tyre
Nga Milena
Selimi
Tiranë, 25 Janar NOA Fotot Update - Rudolf Marku dhe Visar
Zhiti, dy autorë të njohur shqiptarë të poezisë dhe prozës, së fundi, janë përfshirë
në një antologji ndërkombëtare.
Ajo është botuar në Britaninë e Madhe dhe i
referohet 100 poezive më të njohura dhe të qarkulluara, që sipas kuratorëve të
tyre kanë ndikuar artistikisht në shekullin e njëzetë për mbrojtjen e vlerave
të së Drejtës së Njeriut. Antologjia Fire in the soul, sipas medias
shqiptare, që ka konfirmuar lajmin, po shitet suksesshëm në sistemin e Librarive
prestigjioze angleze "Waterstone". Ajo është fryt i punës së stafit të
kritikës letrare të Shtëpisë Botuese "New Internationalist" e
Oxfordit dhe përmbledh veç autorëve shqiptarë disa nga autorët që kanë bërë
epokë me krijimtarinë e tyre. Të tillë si Ana Akhmatova, Paul Celan, Margaret
Atwood, Pablo Neruda, Adrienne Rich, nobelistja polake Wislawa Szymborska,
Nazim Hikmet, dy shqiptarët e shumë e shumë të tjerë. Dashuria e Visar
Zhitit, që mbyll listën e autorëve dhe Kali i Kaligulës së Rudolf Markut janë
përfaqësimi shqiptar në këtë antologji.
Ka kohë që dy autorët shqiptarë janë shumë të
njohur në letërsinë e huaj. Nga këta më aktivi, duket se ka qenë Visar Zhiti, që
duhet thënë se gjithmonë e më pak, po ndihet në vendin e tij. Kurse, ai vetë ka
qëndruar disi indiferent ndaj kësaj lloj njohje, që sipas kritikut të njohur
shqiptar, që tash shumë vjet punon në Angli Dr. Gëzim Alpion se nuk
është i interesuar të trajtojë tema folklorike dhe ekzotike që perëndimorët e
interesuar për Shqipërinë dhe hapësirat shqiptare, si gjithmonë, vazhdojnë ti
kenë aq shumë për zemër. Kurse porsa i përket Rudolf Markut, që prej
kohës jeton jashtë vendit, duhet thënë se ka qenë shumë i pranishëm në letrat
shqipe për një kohë të caktuar, ndërsa tashmë është pak më larg, por asnjëherë
i larguar krejtësisht prej saj.
Duhet thënë se puna dhe krijimtaria cilësore
ka qenë një nga elementët që i ka përfshirë të dy autorët në këtë antologji, ku
spikasin disa nga emrat legjendë të shkrimit si Ahmetova, Neruda dhe Szymborska.
Të jemi të ndërgjegjshëm, përveç Ismail Kadaresë, një emër shumë i njohur në
botën e letrave, shkrimtarët e tjerë shqiptarë janë shumë skajorë në botime.
Kjo ndodh për shkak të mungesës së përkthimeve cilësore nga shqipja në gjuhë të
huaj por edhe për shkak të problematikës teknike ngaqë Shqipëria është një vend
i vogël dhe me një gjuhë jo shumë të njohur. Gjithsesi, fati i njohjes së
Kadaresë dhe tematikave të tij ka bërë që të ketë një shteg dhe për letrarët e
tjerë shqiptarë.
m.s/e.r/NOA \n
This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it