E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotografia, një rrëfim mes imazhesh

Artisti shqiptar, Fate Velaj, është shpallur fitues i edicionit të parë të konkursit “Focara”, i cili u zhvillua në Itali. Ky konkurs fotografie ka për qëllim të promovojë dhe të përhapë këtë formë shprehëse të artit, si mjet për të dëshmuar dhe përshkruar momentet që lidhen me kulturën dhe traditat popullore

Toti Carpentieri
I shpallur fitues i edicionit të parë të konkursit të fotografisë “Focara”, artisti shqiptar, Fatmir Velaj, rrëfehet në një intervistë për kritikun e artit, Toti Carpentieri. Ai tregon për marrëdhëniet e tij me fotografinë si art dhe si ka ndikuar ajo në zhvillimin e mëtejshëm apo në marrëdhëniet me pikturën apo të shkruarin, dy gjinitë e tjera, të cilat janë pjesë e krijimtarisë së Velaj. Ky konkurs fotografie ka për qëllim të promovojë dhe të përhapë këtë formë shprehëse të artit, si mjet për të dëshmuar dhe përshkruar momentet që lidhen me historinë e kulturës dhe traditave popullore.
Cili është sot roli i fotografisë?
Për mua fotografia është si një rrëfim në formatin jpeg, që do të thotë tregimi përmes imazheve i ngjarjeve, i botës rreth teje, por edhe i njerëzve dhe vendeve, ngjarje dhe fakteve. Të gjitha këto shprehin gëzimin që shikoj dhe ndiej përballë fenomeneve të ndryshme me të cilat hasem në botë, duke nisur nga ngjarjet shoqërore tek ato kulturore e deri tek aventurat me të cilat përballesh në udhëtime, qofshin ato të mëdha apo të vogla. Të fotografosh, do të thotë të zbulosh dhe të thellohesh më shumë për veten dhe atë që zbulon vetë t’ua komunikosh edhe të tjerëve. Për mua, fotografia është dokumentimi dhe dëshmia e ngjarjeve, shpesh thelbësore (si “Focara 2009”). Të gjitha këto situata mund të fotografohen në mënyra të ndryshme dhe varet nga motivimi dhe qëllimi i vetë fotografit.
Fotografia e ditëve të sotme është një mjet komunikimi shumë i fuqishëm, që po kthehet sërish në skenë, dhe për të komunikuar e për t’u shprehur ka nevojë për shumë hapësirë dhe mbi të gjitha për shumë kohë. Kjo do të thotë kohë për ta parë atë, dhe kohë që të shfaqet në një mjet komunikimi, por edhe galeri arti për t’u ekspozuar.
Për mua si artist, që jam i pranishëm në fusha të ndryshme të artit, si piktura apo narracioni/eseja, fotografia është një tjetër gëzim dhe dëshirë e përhershme për të komunikuar, po në të njëjtën kohë është edhe një përzierje mes artit tim abstrakt në pikturë; siç është për shembull rasti i serisë “Memories from the future” dhe i “The red in the bedroom” me imazhe të fotografuara në rrugët e Europës; siç është rasti tjetër i “On the road” që e bën fotografinë time tërësisht objektive. Megjithatë, në fotografinë time ka një faktor “vërtetësie”, sepse unë fotografoj në vendin ku ndodh fakti, dhe ato impresione të mbledhura në vende, më ndihmojnë të shprehem edhe në telajo me ngjyrat. Kështu, dua të them se fotografia ime është një formë arti i barabartë me pikturën dhe me çdo lloj forme tjetër që më jep mundësi të shprehem.
Cila është marrëdhënia juaj me artistin? Fotografia është realisht një medium objektiv?
Për mua si artist është e nevojshme të jem në gjendje ta përdor fotografinë si një rrëfim i një eksperience të jetuar, si një objekt shkëmbimi mes një mjeti arti dhe një tjetri, siç është piktura, të cilat bashkohen prej lidhjesh të forta kulturore dhe emocionale. Unë dokumentoj objekte, persona, vende, për t’i sjellë edhe një herë në vëmendje si një instrument racional në një tjetër gjuhë artistike, që në këtë rast është piktura. Ajo që do të vijë pas kësaj, është që unë do të çoj në studion time në Vjenë këtë përmbledhje fotografike, për të shfrytëzuar ndjesitë që më përçojnë në versione të ndryshme me ngjyra. Mua më ndodh shpesh që një përmbledhje imazhesh, si ajo e Werfenweng në malet e Salsburgut, që edhe në këtë rast është eksperienca që vjen nga përmbushja dhe shkëmbimi i fotografive, të cilat më kanë çuar në realizimin e pikturave të mia të ciklit “The small village under the big mountain”. Fotografitë e shkrepura në vende që unë i kam prekur nga afër, më kanë ndihmuar që të kujtoj më shumë. Më pas, në atelienë time ato janë modifikuar dhe janë kthyer në një vepër të vetme arti. Në fund, dua të them që për mua fotografia është një “work-in-progress” (“punë në zhvillim”), sepse më ka ndihmuar të shprehem edhe për të shkruar esetë e mia si “Dasma e dashurisë së fundit”, hotel “National Beograd”, “Senigallia”, “Tunnel of love”, “The grey Vienna” etj. Rezultati i dukshëm i këtij narracioni poetik është si një imazh i pastër, por në këtë rast është një imazh i shkruar. Kjo dëshirë për të qenë gjithnjë i pranishëm në brendësi të veprës tregon një konceptim artistik, në të cilin fotografia më drejton mua drejt një gjendjeje tjetër shpirtërore, që më jep mundësinë për të prodhuar një vepër arti duke respektuar domethënien, sikur të vinte nga një situatë konkrete e jetuar të cilën mund ta ndeshësh në pikturën time “The south’s blue rhapsody”.
çfarë emocionesh keni përjetuar në realitetin e Salentos?
Për mua, si një njeri i rritur nga ana tjetër e Adriatikut, Salento është një vend që ka qenë gjithnjë i pranishëm në mendjen time qysh kur isha 10 vjeç. Që kur jetoja në Vlorë, unë kam vënë re se ky vend ka një pasuri të madhe materiale dhe shpirtërore të përbërë prej fjalësh, tingujsh, rrëfimesh në muzikë, kërcimesh, etj. Gjithashtu gjen këtu edhe gjurmë të qytetërimit të vjetër. Kur kam parë qytete si Leçe, Novoli, Gallipoli, Otranto, S.M.di Leuca etj., kuptova se ato nuk janë vetëm të bukura, por janë edhe dëshmi e qytetërimeve në periudha të ndryshme. Kam takuar shumë njerëz, kam folur me ta, kam vizituar vende historike dhe kam prekur me duart e mia historinë dhe në të njëjtën kohë kam ndjerë zërat e të parëve tanë që na kërkojnë të jemi të kujdesshëm për të mbrojtur vlerat, rrënjët, historinë dhe identitetin tonë europian. Unë mendoj se është ende e nevojshme për një kontakt real me gjeneratat e kaluara dhe ato të tashme për të kuptuar historinë dhe traditat.
çfarë do të thotë për ju fakti që jeni shpallur fitues i edicionit të parë të çmimit “Fòcara”?
Kur më telefonuan për të më komunikuar se unë kisha fituar çmimin “Focara” për fotografinë, u ndjeva i nderuar, sepse në konkurs morën pjesë edhe shumë emra të njohur të fotografisë italiane, si profesor Guido Cecere i Akademisë së Arteve të Bukura të Venecias, Maura Parodi, drejtoreshë e START në Xhenova, Marco Cavallini etj. Ishte një kënaqësi e veçantë, sepse ndjeva një vazhdimësi të figurës sime artistike. Fakti që jam fitues i edicionit të parë të çmimit “Focara” për fotografinë, për mua është një kënaqësi. Më kujtohet situata në të cilën ndodhesha para se të merrja pjesë. Më kujtohet se kur më propozuan për të marrë pjesë në Novoli, ndodhesha në liqenin e Ohrit për projektin tim “Europa Bulevard- 100 hapa drejt Europës” – një projekt që ka fituar zemrën e shumë personaliteteve të njohura si Vaclav Havel, Imre Kertezs- fitues i çmimit “Nobel” për letërsinë, Jose Manuel Barroso etj. Gjatë kësaj kohe isha tepër i zënë me këtë projekt dhe fillimisht hezitova, parapëlqeva të mos merrja pjesë. Por ishte pikërisht dëshira për të parë vende si Salento që më shtyu të jem aty dhe tani them se kam bërë shumë mirë!

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›