Morea, një kronikë mesjetare
Lexuesi ka mundësinë të shtjerë në dorë një nga tekstet më intriguese të Mesjetës së hershme, i cili njihet sot e gjithë ditën nga studiuesit si “Kronika Anonime e Moresë”. Kronikat na vijnë në shqip përmes përkthimit të Nasi Lerës
Më në fund lexuesi ka mundësinë të shtjerë në dorë një nga tekstet më intriguese të Mesjetës së hershme, i cili njihet sot e gjithë ditën nga studiuesit si “Kronika Anonime e Moresë”. Edhe pse ngjan sikur karakteri i kësaj vepre është përcaktuar qysh në krye nga titulli që mbart “Kronika…”, për hir të së vërtetës lypset të themi se ky tekst i jashtëzakonshëm është shumë më shumë se një kronikë e thjeshtë; thënë më shkoqur brenda tij gjëllijnë një shumësi kronikash: kronika e shtegtimeve të kryqtarëve frankë të Kryqëzatës së Katërt; kronika e pushtimeve dhe e luftërave të përgjakshme mes frankëve dhe Bizantit, por edhe mes frankëve mes veti; kronika e martesave dhe e krushqive të lidhura mes fisnikëve për të lidhur e zgjidhur aleanca dhe përfituar prona të ardhura si prikë; kronika e intrigave dhe zullumeve më të tmerrshme për t’u ngjitur në fron e kështu me radhë. Me pak fjalë, ky libër i papërsëritshëm mund të lexohet njëherësh në disa regjistra dhe të të dhurojë një andje si rrallëkush.
I mbështetur në traditën e historianëve të antikitetit, kryesisht të atyre grekë, si Tuqididi me shokë, edhe autori anonim i kronikës së Moresë vendos në gojën e heronjve të tij ligjërata të gjata të mbushura plot patos, të cilat, edhe në mos qofshin të vërteta, siç janë të gjitha gjasat, mbartin në vetvete e përcjellin besnikërisht atmosferën dhe problematikat e kohës, ashtu siç na krijojnë një ide të qartë të stilit të përdorur nga historianët e Mesjetës së hershme. Pjesë e traditës së lartpërmendur është edhe riprodhimi i dialogëve (ose i monologëve) nga ana e kronikanit, të cilët kanë të bëjnë gjithashtu me personazhet historikë dhe momentet kyçe në të cilat ata ndodhen: në fushë të betejës, në kështjellë, në marshim, në kuvendin e fisnikëve, në negociata e kudo qoftë.
Vende-vende autori i kronikës nuk ngurron të shfaqë sheshit urrejtjen e mërinë që ndjen ndaj grekëve, të cilët i quan të pabesë, dhelparakë, tradhtarë të besimit që nuk e kanë për gjë të lidhen me të pafetë (turqit, në rastin në fjalë); duke i konsideruar njerëz që e shkelin fjalën e dhënë dhe e presin në besë edhe vetë perandorin e tyre. E vërteta është që në një pjesë të mirë të rasteve kronikani sillet me faktet si t’i vijë atij për mbarë dhe, për rrjedhojë, ta manipulojë historinë. Dhe kjo është e kuptueshme po të kemi parasysh se kronikani ynë anonim, me gjasë është frëng dhe, në mos i tillë, ndjen simpati për ta, simpati që nuk kursehet ta shfaqë kudo dhe kurdo që i jepet rasti.
Ky tekst i kronikave që na vjen nga mugëtirat e Mesjetës së hershme është gjithashtu edhe një dëshmi e qartë dhe e paekuivoktë e luftërave, shkatërrimeve, pushtimeve, plaçkitjeve dhe vrasjeve në masë që hoqën në kurriz dhe pësuan banorët e atyre viseve, pra të Moresë, prej kryqtarëve frankë, të cilët kësisoj shpalosnin hapur synimet dhe ambiciet e tyre; thënë me fjalë të tjera, më fort se meraku për fatin e varrit të Krishtit në Jerusalem, ata ishin shkulur nga ana e anës dhe qenë derdhur në këtë skutë të Europës për të pushtuar feude dhe për të mbledhur pasuri. Dëshmia vjen e bëhet edhe më bindëse për faktin se na përcillet nga vetë frankët dhe jo nga tjetër njeri, çka mund ta vishte atë me një vello dyshimi. Në këtë kontekst tingëllon mjaft prekëse lutja që banorët grekë (lypset të sqarojmë në këtë pikë se me grekë, autori nënkupton të gjithë banorët e trevave) i drejtojnë Zhofrua dë Vilehaurdënit, prijësit dhe zotit të kryqtarëve të ngulur në More, duke iu përgjëruar që të mos i shtrëngojë të heqin dorë nga besimi i tyre ortodoks, si dhe nga doket e zakonet e të parëve. Nga ana tjetër, këto tekste janë dëshmi e grindjeve dhe zënkave në radhët e vetë kryqtarëve, siç është ajo që na përcjell besnikërisht kronikani mes Zhofrua dë Vilehaurdënit dhe të dërguarit të kontit të Shampinosë nga Franca, të ashtuquajturit Robert, lidhur me pronësinë e feudeve të krijuara pas pushtimit të tokave të Moresë.
Kronikat e Moresë paraqesin një interes të shumëfishtë nga pikëpamja e këqyrjes historike: së pari, në to gjejmë të dhëna me interes lidhur me kryqëzatat dhe kryqtarët, të cilët vërshuan nga Europa Perëndimore në drejtim të Lindjes së Mesme dhe kaluan përmes viseve të Europës Juglindore duke i shkretuar me zjarr e me hekur; së dyti, të pakrahasueshme për nga rëndësia janë informacionet mbi Bizantin dhe Kostandinopojën, intrigat e pafundme dhe luftën për pushtet që zhvillohej mes parisë së Perandorisë së Lindjes; së treti, përplasjet mes kishës së ritit latin dhe asaj të Lindjes erdhën duke u rritur dhe përkeqësuar në atë shkallë sa e çara mes tyre u bë e pariparueshme, sidomos pas dyndjeve valë-valë të kryqtarëve dhe orvatjeve të vazhdueshme të ndërmarra prej tyre për të shtënë në dorë dhe për të plaçkitur kryeqendrën e perandorisë, Kostandinopojën, si dhe për të konvertuar në katolicizëm besimtarët ortodoksë; së katërti, kronika na ofron të dhëna të dorës së parë që kanë të bëjnë me shfaqjet e para dhe depërtimin e turqve në ato vise që më pas ata vetë do t’i pagëzonin e quanin Ballkan, depërtim që me sa kuptojmë, paska qenë shumë më i hershëm nga ç’njihej e pranohej deri vonë dhe, së pesti; edhe pse tërthorazi, ne jemi në gjendje të nxjerrim në dritë fakte me peshë për gjendjen në viset e Arbrit dhe të popullsisë së saj dhe, kësodore, të kuptojmë dhe interpretojmë më mirë atë pjesë të historisë sonë që deri diku ngjan e errët dhe e padepërtueshme.
Kronikat na vijnë në shqip përmes përkthimit të shkëlqyer të Nasi Lerës, i cili, falë zotësisë së tij ka ditur të na përcjellë saktësisht dhe me të gjitha nuancat e gjuhës së asaj kohe një tekst që për shumëkënd do të ishte i palexueshëm edhe sot e kësaj dite.
#