E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: “Berisha shpërdoroi 2.5 milionë dollarë për militantët e partisë”



Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, e akuzoi dje kryeministrin Sali Berisha për shpërdorimin e buxhetit të vitit 2009. Ai deklaroi se gjatë fushatës zgjedhore Berisha ka paguar dhe shpërblyer në mënyrë të paligjshme militantët partiakë, duke shpërdoruar 2.5 milionë dollarë. “Partia Socialiste, në mënyrë të përsëritur, ka denoncuar, duke provuar me fakte, se buxheti i shtetit i vitit 2009 u vu fund e krye në shërbim të deformimit të rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit 2009. Së fundi, me deklarimet dhe denoncimet tona është bashkuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në raportimin zyrtar për kontrollin dhe zbatimin e buxhetit të vitit 2009, KLSH zbulon se nga kontrollet e ushtruara është konstatuar një dëm efektiv ekonomik prej 74 milionë dollarësh”, - u shpreh Beqja. Sipas konstatimeve të KLSH-së, Beqja tha se qeveria ka shitur apo ka dhënë me qira pasuri publike për klientë të familjes politike të kryeministrit, ku janë shpërdoruar 31 milionë dollarë. Sipas tij, qeveria ka lejuar evazion fiskal në Tatime dhe Dogana për pasurim të paligjshëm të nëpunësve të emëruar për militantizëm politik, duke bërë që buxhetit të shtetit t’i mungojnë 28 milionë dollarë. “As i famshmi prokurim elektronik nuk e ka shpëtuar buxhetin e shtetit nga shpërdorimi i detyrës dhe selektimi i operatorëve ekonomikë sipas përkushtimit ndaj familjes politike dhe biologjike të kryeministrit. Janë 4.3 milionë dollarë të shpërdoruar në prokurimet publike. Edhe qeveria në dietë e Sali Berishës provohet që është demagogji, sepse në shpenzimet operative janë shpërdoruar 260 mijë dollarë”, - tha Beqja. Sipas tij, KLSH-ja nuk ka qenë në gjendje të kontrollojë përdorimin e parave të taksapaguesve për reklamat apo gënjeshtrat elektorale të Sali Berishës në prag të zgjedhjeve. “E vërteta e shpenzimeve për reklamat fshihet ashtu si e vërteta e kutive të votimit. Sali Berisha jo vetëm i grabiti zgjedhjet e 28 qershorit, por çfarë është më e keqja, ai po përdor pushtetin e vjedhur për të vjedhur edhe më shumë xhepat e shqiptarëve. Shpërdorimi i frikshëm i parave të taksapaguesve, i provuar nga KLSH-ja, është një arsye e ligjshme për të protestuar dhe kërkuar largimin e qeverisë së Sali Berishës”, - u shpreh Beqja.

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›