E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, “poker” ndaj Pogradecit



Partizani rimori vendin e katërt në Kategorinë e Parë, pas fitores 4-2 me Pogradecin në “Selman Stërmasi”, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 23-të. Enkelejd Pengu shënoi në minutën e 12-të për Pogradecin e Ylli Çekiçit, përpara se një minutë më pas Rezart Maho të barazonte shifrat për të kuqtë e Gerti Haxhiut.
Sokol Ishka kaloi për herë të parë në avantazh Partizanin në minutën e 19-të, për t’ia lënë radhën sërish Mahos të shënonte golin e tretë në të 28. Me shifrat 3-1 dy skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes, ndërkohë që Erjon Rizvanolli firmosi golin e katërt për Partizanin në minutën e 66-të, e dy minuta më pas, Elhan Galica fiksoi shifrat në 4-2 të ndeshjes. Për Partizanin kjo ishte fitorja e 12-të sezonale në 23 ndeshje, ndërsa tashmë është vetëm dy pikë larg Lushnjës së vendit të tretë, 44 pikë.
Gjatë fazës së dytë, Partizani nuk ka humbur asnjë nga tetë ndeshjet, duke fituar gjashtë takime dhe barazuar dy të tilla, me Bylisin kryesues (1-1) dhe me Kamzën e vendit të pestë (1-1).
Sipas asaj që është deklaruar, lojtarët e Partizanit do të përfitojnë nga 2 milionë për kokë si lojtar për fitoren për katër ndeshjet e radhës: Bilishti e Pogradecin ( të dyja të realizuara), Turbinën dhe Elbasanin.

Starova: “Vendi i tretë dhe Europa League”

Vendi i tretë në sezonin aktual dhe kampion në edicionin e ardhshëm. Ky është objektivi që i ka vendosur vetes trajneri i ri i Tiranës, Sulejman Starova, në prezantimin e tij të 24-herë kampionët, kur kanë mbetur edhe tetë javë nga përfundimi të Kampionatit të 71-të Kombëtar të futbollit. Trajneri i pestë sezonal i bardhebluve, që gjatë këtij sezoni nuk do të realizojnë asnjë prej dy objektivave të mëdha, kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, pohoi se synimi i tij fillestar është një vend në Ligën e Europës. Ish-trajneri i Partizanit i rikthyer pas tri vitesh mungesë te rekordmenët shqiptarë, qysh kur Starova dha dorëheqjen pas vetëm tri javësh në sezonin 2007-2008, tha: "Objektivi kryesor i momentit, është skuadra nëpërmjet këtyre tetë ndeshjeve që kanë ngelur, pra janë 24 pikë në valle, të arrijë të zërë objektivin që i ka ngel Kupa e Evropës. Gradualisht, për të menduar dhe për një Tiranë më të fortë që të jetë e gatshme për sezonin që vjen". Pasuesi i Devi Mukës në stolin bardheblu nuk dha asnjë detaj në lidhjen me kontratën e firmosur me presidentin Refik Halili, por ai u shpreh se ka lirinë e duhur për të ndërtuar skuadrën që do të sunojë fitimin e titullit të 25-të të Tiranës. "Detyra ime është të bëjë maksimumin për të kapur këto rezultate, por sigurisht dhe duke vënë shinat për një Tiranë për vitin tjetër", - tha Starova, që ka fituar kampionatin në sezonin 2004-2005 po me Tiranën.
Pas 25 javësh të luajtura në Superligë, Tirana renditet në vendin e katërt të klasifikimit me 35 pikë, 23 pikë më pak se rivalja Dinamo që kryeson kampionatin. Debutimi i Sulejman Starovës në stolin bardheblu nis me transfertën e Apolonisë në Fier. Tirana ka humbur tre takimet e fundit në kampionat dhe është elimninuar nga Kupa e Shqipërisë.

Cana: “Anglia tw mbush me dhurata”

I transferuar nga Olimpiku i Marsejës te Sanderlendi për gjashtë milionë euro gjatë merkatos verore, Lorik Cana (26 vjeç, 28 ndeshje në Premier League këtë sezon) është i lumtur në Angli.
Kapiteni i “maceve të zeza” ndihet i lumtur në fanellën e tij të tretë si lojtar profesionist pas dy të parave në Francë, PSG dhe Marsejë. “Në Angli, kur je kapiten, ndaj teje investohet në jetën e përgjithshme të klubit, në marrëdhënie me sponsorët, në darka zyrtare të klubit, me median. Kur më dhanë shiritin e kapitenit, njerëzit u habitën”, - tha Lorik Cana për “Europë 1”, i formuar si futbollist te Paris Saint-Germain.

31 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›