E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmusen: “Mbështes PS-në për transparencën e zgjedhjeve”



Eneida Jaçaj

Kërkesa e Partisë Socialiste për të bërë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit ka gjetur mbështetje edhe nga Presidenti i Partive Socialiste Europiane, Poul Nyrup Rasmusen. Deklarata e tij u bë e ditur pas takimit që pati me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në konferencën e PES-së për Ballkanin me temë “Shoqëritë Progresiste në Ballkan”. Rasmusen u shpreh për ngritjen e një komisioni të pavarur, i cili mund të përbëhet edhe nga ndërkombëtarë, për të realizuar një transparencë të pastër zgjedhore. “Më lejoni të shprehem qartë. Unë dua të mbështes Partinë Socialiste shqiptare në kërkesën e saj për të pasur transparencë dhe zbardhjen e plotë të zgjedhjeve të fundit. Kjo është arsyeja përse sot i kam thënë zotit Edi Rama se unë po u bashkohem përpjekjeve për të arritur transparencë të plotë, se edhe unë do të doja t’i shprehja dëshirën time për ngritjen e një komisioni hetimor, një komision hetimor të pavarur, i cili të negociohet dhe të pranohet edhe nga Partia Socialiste e Shqipërisë”, - u shpreh Rasmusen, duke shtuar se “komisioni mund të përbëhet nga shqiptarë, por edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë të pavarur, çka do të garantonte se ky komision hetimor do të shqyrtonte çdo pikëpyetje, dyshim apo çështje të tjera mbi zgjedhjet e fundit. Transparencë e plotë, komision hetimor, le ta mbarojmë këtë punë”.
Ndërkombëtarët
Përsa i përket krizës politike, ndërkombëtarët vazhdojnë të sensibilizojnë palët për bashkëpunim politik lidhur me kauzën që është krijuar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë duket se ata po vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’i dhënë zgjidhje sa më të shpejtë krizës.
Ambasadori spanjoll, Emanuel Montobio, në një intervistë të dhënë për një media, deklaroi se politika prodhoi në Parlament një situatë që nuk e zgjidhi, por e thelloi krizën. Montobio kërkon që liderët politikë të ulen dhe të dialogojnë sërish, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, pasi po skadojnë afate të rëndësishme për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe mungesa e një rrugëdaljeje do të vonojë integrimin. Ai sqaroi se ajo që ka thënë Bashkimi Europian është se zgjidhja e këtij ngërçi politik është një dialog konstruktiv politik dhe rezultati që do të arrihet nëpërmjet këtij dialogu është pikërisht një marrëveshje për mandatin e këtij komisioni hetimor parlamentar. Pas vendimit të marrë prej tyre për nisjen e protestave dhe raportin e kushtëzuar me institucionin e Parlamentit, socialistët po zhvillojnë takime me ndërkombëtarë, duke kërkuar prej tyre ndihmë dhe sugjerime për zgjidhjen e krizës.
Projektligjet
Marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin nga deputetët e Partisë Socialiste duke mos marrë pjesë në votimin e projektligjeve më të rëndësishme që kërkojnë shumicën e votave do të bllokojnë aktivitetin e Kuvendit. Opozita do të jetë në Parlament vetëm për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Disa prej projektligjeve që kërkojnë 84 vota për t’u miratuar, janë: ai i Gjykatës Administrative, i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe i Policisë Gjyqësore. Këto drafte vazhdojnë të qëndrojnë pezull për shkak të mungesës së kartonëve në Parlament.

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›