Beqja: I themi Saliut, po, koncensionet e dhëna familjes dhe Fazlliçëve do rishikohen
Partia Socialiste ka reaguar nëpërmjet sekretarit për Programin, Ilir Beqja, pas akuzave të kryeministri Berisha, se PS është ziliqare për koncensionet dhe ndaj kërkon ti rishikojë ato.
Beqja ka rikonfirmuar qendrimin e PS-së, se do të rishikohen të gjitha konsensionet e dyshimta, në të cilat janë përfshirë familjarë politikanësh apo sekserë si Damir Fazlliç.
Po, sot dëshiroj të rikonfirmoj qëndrimin politik të PS të përcaktuar në programin Për një rilindje shqiptare. Ne do të rishikojmë të gjitha kontratat e partneritetit publik privat dhe do të kërkojmë anulimin e të gjitha atyre marrëveshjeve që shkelin ligjin, në kushtet e konfliktit të interesit dhe në dëm të interesit të shqiptarëve.
Po, Po!
Do të rishikojmë të gjitha kontratat në dëm të shqiptarëve të lidhura për interesa të oborrit të Saliut, qoftë familjar, qoftë politik, të Fazlliçit apo të Fazlliçëve, ka thënë Beqja.
Ne e kemi denoncuar politikën e koncesioneve të pakërkuar si klienteliste, në dëm të interesave të shqiptarëve, të korruptuar.
Ne falenderojmë dhe mbështesim investitorët seriozë, vendas dhe të huaj. Falenderojmë Verbund, EVN, Statkraft, EGL, Statoil, Enel, Siemens e të tjerë. Ndjesë nëse harroj ndonjë, por nuk është momenti për ti përmendur të gjithë.
Ne falenderojmë institucionet financiare të huaja për mbështetjen që i japin zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe i garantojmë ata se qeverisja jonë e nesërme do të jetë krejt e ndryshme nga modelet si ai i bllokimit që i bën Saliu kredisë së KFË për linjën e interkoneksionit Shqipëri Kosovë, ka vijuar më tej ai.
Sipas Beqjas, Berisha në vend të merret me krimin e shtuar dhe atentatet mafioze në vend, dëshmitë e tmerrshme të korrupsionit në dogana apo borxhin publik, merret me akuza dhe sulme ndaj opozitës.
Saliu duhet të flasë për rendin publik, por heziton. Për fat të keq atentatet mafioze, vrasjet dhe grabitjet vazhdojnë në hundën e policisë së shtetit. Kanë kaluar disa muaj dhe asnjë lajm nuk ka për zbulimin e fajtorëve të atentatit mafioz ndaj drejtuesve të Ceament Albania.
Saliu duhet të flasë për korrupsionin e tmerrshëm në shërbimin doganor të denoncuar publikisht nga njerëz brenda këtij shërbimi, por heziton. Tek ky korrupsion janë shkaqet e deficitit dhjetëra milionë dollarësh të krijuar në 7 muaj nga administrate fiskale. Përgjigja e regjimit të Saliut është kërcënim për denoncuesin që detyrohet të arratiset nga Shqipëria pas 21 vjetësh të ndryshimit të sistemit politik, tha Beqja.