Beqja: KESH, 190 milion euro humbje në vit
Situata energjetike në vend është gjendje shumë të rënduar dhe humbjet në Korpooratën Elektroenergjetike kanë arritur maksimumin. Shqetësimin e ka ngritur sërish selia rozë, nëpërmjet sekretarit të saj, Ilir Beqja.
“Me 190 milionë eurot e humbura vjet në KESH, mund të ndërtoheshin dhe pasjiseshin ambulanca në 2500 fshatra të Shqipërisë, mund të ndërtoheshin dhe pajiseshin qendra shëndetësore për 300 komuna rurale në Shqipëri si dhe mund të ndërtoheshin 3 spitale rajonalë modernë me 1200 shtretër në total” – tha Beqja.
Sipas tij pas tre vjetësh qeverisje situata energjitike është kthyer në kërcënimin më serioz për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit
“Jo vetëm konstatimet dhe deklarimet e përsëritura të Partisë Socialiste, por edhe institucionet më prestigjioze që asistojnë Shqipërinë prej 17 vjetësh konkludojnë që situata energjetike është kërcënimi më serioz për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit” – vazhdoi Beqja.
Pas 3 vjetësh qeverisje janë me dhjetëra mijëra familje që faturohen aforfe dhe është kërkuar të vazhdohet kështu deri në janar 2009, edhe pse qeveria pati premtuar që “do të instalohen matësat në të gjithë konsumatorët e për rrjedhojë do të marrë fund brenda vitit 2006 faturimi aforfe“.
Në vitin 2007 arkëtimet e KESH ishin jo më të larta se 81 %, ndërkohë që në vitin 2004 niveli i arkëtimeve ka qënë 88 %.
Edhe pse u shpenzuan për import po aq miliona euro (176 milionë) sa në 4 vitet e mandatit të mëparshëm qeverisës, 2007 shënoi vitin e një errësire masive. Në këtë vit defiçiti i KESH arriti në 2.4 % të Produktit të Brendshëm Bruto apo mbi 190 milionë euro.
Korrupsioni
Ndërkohë një shqetësim tjetër që ka ngritur selia rozë është edhe korrupsioni. Nëpërmjet deputetit të saj, Erjon Braçe selia rozë ka përsëritur se raporti i FMN-së i dalë në muajin gusht tregon shifrat kulminante për korrupsionin në Shqipëri.
“Në këtë raport korrupsioni zë vendin kyç të vlerësimeve, pikën kulminante të dështimit të Berishës, majën më të lartë që i kanoset sot shtetit dhe çdo shqiptari. Tabelat dhe treguesit në to, tregojnë gjendjen reale, shtrirjen vertikale dhe horizontale të korrupsionit, marrëdhënien e fortë të qeverisë me korrupsionin” – tha Braçe.