Lind vajzën në sediljen e taksisë, mungonte mjeku
Gruaja është detyruar të udhëtojë për më shumë se 50 kilometra nga fshati Kotorr. Mjeku i spitalit të Gramshit ishte me leje dhe askush nuk mund të asistonte në lindje
ELBASAN- Një vajzë ka ardhur në jetë paraditen e djeshme në një taksi duke rrezikuar seriozisht jetën e saj dhe të të ëmës vetëm sepse mjeku që duhet ta asistonte kishte ikur me pushime. I vetmi që ka ndihmuar në lindje ka qenë babai i foshnjës dhe shoferi i taksisë që ka bërë të pamundurën për ta dërguar gruan shtatzënë në spital. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Elbasanit ndërsa gruaja që ka lindur është nga zona e Gramshit. Pas më shumë se 50 kilometrash udhëtim me makinë, gruaja nuk ka rezistuar më duke sjellë në jetë një vajzë që peshon tre kilogram e 500 gramë. Për fatin e saj të mirë, bashkëshorti ishte edhe infermieri i zonës dhe ka arritur që ta asistojë në mënyrë perfekte duke sjellë në jetë një fëmijë shumë të shëndetshëm.
Lindja
Nafije Kotorri, banuese në fshatin Kotorr të Gramshit, ishte në ditët e fundit të shtatzënisë dhe mëngjesin e djeshëm ka ndjerë dhimbjet e lindjes. Bashkëshorti i saj, Shkëlqim Kotorri, ka marrë gruan dhe është nisur menjëherë drejt qytetit të Gramshit për të shpënë të shoqen në spital. Por kur ka mbërritur atje, pas 35 kilometrave rrugë, ai është përballur me një surprizë të hidhur. Mjeku që do ta asistonte në lindjen e fëmijës së tij ishte me pushime. Në këto kushte ai ka marrë sërish rrugën duke iu drejtuar qytetit të Elbasanit për të lindur fëmijën. Por largësia ka bërë që fëmija të mos presë dhe bashkëshortit, i cili fatmirësisht ishte edhe infermier i zonës, i është dashur të asistojë vetë lindjen me mjete rrethanore në sediljen e pasme të automjetit. Kur ka mbërritur në maternitetin e Elbasanit, babai ka dalë me fëmijën e sapo lindur në krahë dhe të gjithë kanë mbetur të habitur. Personeli mjekësor menjëherë i ka dhënë ndihmën e parë gruas, Nafije Kotorri e cila është vendosur në një dhomë ndërsa vajza që peshonte 3 kg e 50 gramë është vendosur në një inkubator. Mësohet se babai hero që ka arritur t’i shpëtojë jetën bashkëshortes dhe fëmijës kishte telefonuar edhe një mjek të spitalit që ta priste lindjen por gjithçka i është dashur ta përballojë vetë pasi fëmija nxitonte të lindte duke mos i lënë kohë për të mbërritur deri në spital.
Mjekët
Sipas mjekëve të spitalit të qytetit të Elbasanit, gjendja e fëmijës së porsalindur është e mirë dhe po kështu e nënës pasi lindja ka qenë spontane. Sipas tyre, është vënë nën kontroll hemorragjia dhe po kështu bebja ka marrë ndihmën mjekësore. Jashtë derës së maternitetit të Elbasanit qëndron ende makina me targa të Tiranës “0390 J” ku edhe ka lindur foshnja. Burri i, cili jo vetëm që mori pjesë në lindjen e fëmijës së tij por edhe e priti atë si një mjek i mirë, tashmë ka kaluar emocionet dhe frikën se gjërat mund të shkonin keq, merr telefonatat e urimeve dhe i gëzohet vajzës për të cilën ende nuk ka menduar një emër por është i lumtur pasi ajo gëzon shëndet të plotë së bashku me nënën e saj.
Rrëfimi i infermierit që asistoi të shoqen të sillte në jetë vajzën 3.5 kilogramë në sediljen e makinës
Babai: Si prita lindjen e vajzës sime
ELBASAN- Shkëlqim Kotorri, 41 vjeç, baba për herë të tretë pas dy djemve, tregon se si ka pritur në krahë vajzën e vetme. “Kur gruaja ndjeu dhimbjet u nisëm menjëherë për nga fshati ku banojmë e deri në spital janë 35 km dhe rrugët nuk janë kush e di çfarë. Kur kontaktova me mjekun, mësova se ai ishte me pushime dhe për asistencë u nisëm drejt Elbasanit. Kur duhej kohë, fëmija ishte gati për të lindur dhe mu desh ta asistoj vetë fëmijën në sediljen e pasme të makinës. Ishim në hyrje të Elbasanit kur mu desh të mbaja në krahë foshnjën e sapolindur që qante. Kjo ishte një shenjë e mirë. I preva kërthizën dhe e mbështolla me rroba”,- thotë i mallëngjyer babai i vajzës së porsalindur. Ai kishte asistuar edhe më parë në lindje të tjera fëmijësh por këtë herë ishte ndryshe pasi bëhej fjalë për vajzën e tij. “Unë kam asistuar edhe lindje të tjera për shkak të largësisë dhe nuk më bënte shumë përshtypje. Emocione shumë të mëdha pata pasi ishte fëmija im që po lindte dhe sidomos ishte vajzë që unë doja ta kisha pasi kam dy djem”, -thotë babai i tre fëmijëve. Aftësitë e tij dhe fati i mirë e kanë ndihmuar që as e shoqja e as vajza e porsalindur të mos kenë asnjë problem.