Beqja: Në Ditën Botërore të Shëndetit, spitalet në gjendje skandaloze
Dita Botërore e Shëndetit e gjen shërbimin shëndetësor shqiptar e në veçanti shërbimin spitalor në një gjendje skandaloze. Këtë shqetësim e ka shprehur Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja. Ai vuri në dukje se spitalet shqiptare vazhdojnë të mos kenë barna për situata normale. Në spitalet shqiptare nuk realizohen ekzaminimet, sepse mungojnë elementët bazë. Është e patolureshme për qeverinë e kryeministrit Berisha që edhe barnat do ti furnizojë vetëm në muajin e fushatës elektorale, u shpreh Beqja.
Ai deklaroi se spitalet shqiptare vazhdojnë të mos kenë shtretër të lirë në repartet e reanimacionit. Sipas tij, spitalet shqiptare kanë sot 2 herë më pak shtretër për 100 mijë banorë se spitalet e vendeve të anëtarësuar së fundmi në Bashkimin Europian. Ministria e Shëndetësisë bëhet ortake në afera korruptive të privatizimit të spitaleve, theksoi Beqja. Ai shtoi se në ditën botërore të shëndetit opozita mbështet përpjekjet dhe angazhimin e bluzave të bardha, edhe pse ata janë braktisur nga politika e 18 vjetëve dhe u është nëpërkëmbur dinjiteti profesional dhe njerëzor. Gjithashtu, Beqja deklaroi se opozita mbështet mjekët e talentuar e të përkushtuar që realizojnë transplante, edhe pse mjekët e talentuar nuk i kanë munguar këtij vendi. Pas 82 ditësh ndryshimi do të vijë edhe për shëndetësinë. Shqiptarët do të kenë një sistem shëndetësor të ndershëm, të barabartë, cilësor, të shtrirë në të gjithë vendin. Pas 82 ditësh, bashkë me mjekët e talentuar e të përkushtuar shqiptarë ne do të rindërtojmë shëndetësinë shqiptare, u shpreh Beqja. Ai theksoi se opozita do të rivendosë besimin e tradhtuar të shqiptarëve për shëndetësinë dhe do të rivendosë dinjitetin e nëpërkëmbur të mjekëve.