E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Priskë: Qeveria të heqë taksën mbi votën

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dje në fshatin Priskë ka zhvilluar një takim spontan me banorët e këtij fshati. Lideri socialist, Rama ka dëgjuar prej tyre mjaft dëshmi të familjeve me numër të madh pjesëtarësh të papunë apo në pension, të cilët e kanë fare të pamundur të pajisen me letërnjoftime. Dëshmitë e banorëve të fshatit Priskë, shumë pak kilometra larg kryeqytetit, flasin qartë për koston e lartë të këtyre letërnjoftimeve, për ata që jetojnë në fshat, apo që janë të papunë. Nga Priska, Rama ka bashkuar apelin me të gjithë banorët e saj për letërnjoftime falas për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të mos shkelet e drejta kushtetuese e askujt për të shprehur mendimin e tij me votë. Unë jam familje me 6 pjesëtarë që votojnë, me një fjalë më duhen 6 karta, i thonë 72 mijë lekë, por unë s'kam mundësi që t'i marr. Ku ti marr ato lekë, jam pa punë?!, u shpreh një nga banorët e fshatit. Një tjetër banor i Priskës ka bërë thirrje për Kryeministrin Berisha që të marrë masa të pajisë komplet njerëzit me karta pa lekë, falas. As 30% e votuesve nuk arrijnë të votojnë këtu në këtë fshat sepse nuk marrim dot kartat, theksoi ky banor. Banori tjetër që ka dashur të tregojë pamundësinë e tij për pajisjen me letërnjoftim ka qenë një mesoburrë. Ka shumë si unë, papunë jam, presin thesin me miell kalamajtë, jo të paguaj unë kartat e identitetit, prandaj qeveria duhet të vërë dorë. Ne duam të na jepen kartat falas. 6 veta, si mbahen me 100 mijë lekë?! 6 veta, mbi 60 mijë bëjnë kartat, por unë çfarë do ha?!, nënvizoi ai. Duke dëgjuar dëshmitë personale të shumë banorëve të këtij fshati, Rama u shpreh për kërcënimin qeveritar që i vjen të drejtës kushtetuese për të votuar. Të gjitha dëshmitë tuaja janë dëshmi kuptimplota, që tregojnë se jo këtu, por në të gjithë Shqipërinë, varfëria dhe papunësia që janë ulur këmbëkryq në çdo familje, veçanërisht në fshat. Varfëria dhe papunësia e bëjnë të pamundur blerjen e kartës, që deri në 28 Qershor është një e drejtë, u shpreh kreu socialist. E drejta e votës nuk blihet, e drejta e votës është një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutë nga populli sovran dhe as mund ta shesë qeveria të drejtën, ashtu siç shet një shërbim, theksoi kreu socialist, duke shtuar se e drejta e votës është një e drejtë themelore, që po kërcënohet nga kjo qeveri, që e ka taksuar këtë të drejtë. Kjo qeveri ka vënë një taksë mbi votën, një taksë të papërballueshme. Ne do të bëjmë gjithçka që të garantojmë të drejtën e votës së gjithsecilit. Gjithashtu, Rama theksoi se zgjedhjet duhet të jenë shprehje e vullnetit të popullit, që duhet të votojë pavarësisht se sa mundësi ka për të blerë një kartë identiteti. Ditën e zgjedhjeve qytetaret dhe qytetarët janë të barabartë qofshin të pasur, qofshin të varfër, qofshin në punë, qofshin të papunë. Për ne kjo është themelore, tha ai. Rama gjatë bashkëbisedimit me banorët e Priskës, pohoi se qeveria duhet të reflektojë sa më parë për të hequr taksën mbi votën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›