E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Secili ka kontributin e vet në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi,  tha të martën, në një takim me banorët e komunës së Mbrostarit, rreth 8 km larg qytetit të Fierit, se gjithsecili prej nesh ka kontributin e tij në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Flamuri i Shqipërisë është ngritur sot në Bruksel, në zyrat e Aleancës së Atlantikut të Veriut, tha ai, duke shtuar se të gjithë kemi vënë nga një tullë te ajo ngrehinë e madhe reformash zhvillimi ekonomik dhe politik, që bëri të mundur anëtarësimin në NATO".
Ju na besuat votën tuaj katër vjet më parë dhe ne i  mbajtëm premtimet që morëm atëherë para jush atëherë, tha Olldashi, duke shtuar se sot "ne po ngremë simbolin tonë, duke u bërë pjesë e 28 vendeve më të fuqishme, më të lira, më të begata  të globit".
Olldashi, në cilësinë edhe të kryetarit të Shtabit të fushatës elektorale të PD-së në Qarkun e Fierit, prezantoi  përpara banorëve të Mbrostarit arritjet katër vjeçare të qeverisë Berisha, të cilat bënë të mundur edhe anëtarësimin në NATO si dhe shprehu besimin për fitoren e PD-së në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit."Qeveria demokratike i ka dhënë vendit çdo vit rreth 1 miliardë dollarë më shumë në buxhet, si rrjedhojë e luftës kundër korrupsionit, uljes së shpenzimeve operative etj, para që sot janë përkthyer në  investime, paga, mbështetje ekonomike, mbështetje për bujqësinë dhe reforma të thella", tha Olldashi. Ai theksoi se Shqipëria sot është një vend i qetë, me norma të ulëta të kriminalitetit. Statistikat më të fundit europiane tregojnë se Shqipëria është nën mesataren evropiane të kriminalitetit, saktësoi ministri i MPPTT. "Sot paga mesatare në Shqipëri është mbi pagën mesatare të Bullgarisë e Rumanisë, që janë vende të BE. Sigurisht jemi larg standardeve të vendeve më të përparuara të BE, por jemi mbi standardet e rajonit", u shpreh ministri Olldashi. Duke folur për investimet në bujqësi Olldashi tha se "premtuam që do  të investojmë në bujqësi dhe ju jeni  dëshmitarë të stimujve që janë dhënë, programit të ullirit, serave apo subvencionit të karburantit, duke shtuar se sot Shqipëria ka një sipërfaqe rreth 6 herë më të madhe serash, krahasuar me vitin 2005. Sipas Olldashit, opozita përballë këtyre arritjeve është nihiliste dhe vetëm përpiqet për të mohuar, për të baltosur dhe për t'i shfaqur gjërat siç nuk janë. Në fakt kjo është një opozitë që nuk prodhon asgjë", përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›