E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani akuzon Ministrinë e Ekonomisë se ka zvarritur qëllimisht procedurat e tenderave

Deputeti socialist mbështetet në raportin e Avokatit të Prokurimeve
Raporti vjetor për vitin 2008 i prezantuar nga Avokati i Prokurimeve në Komisionin e Ekonomisë para dy ditësh ka deklaruar se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka abuzuar me tenderat. Lidhur me këtë, shprehu shqetësimin deputeti i PS, Andis Harasani se qeveria patjetër duhet të ikë. Bëmat e qeverisë që erdhi në pushtet me gënjeshtrën e duarve të pastra, nuk kanë të sosur, por mbi të gjitha bie në sy qëndrimi tejet i drejtë dhe kritik në lidhje me Ministrinë e Ekonomisë, u shpreh Harasani. Ai kujtoi se sipas raportit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka mangësi në organizimin e procedurave për dhënie me koncesion, paqartësi në dokumentet standarde, mangësi e vonesa për shqyrtimin e ofertave dhe finalizimin e kontratave. Është pikërisht kjo ministri e cila nuk ka zbatuar kërkesat e përcaktuara nga ligji i konçensioneve, tha deputeti Harasani. Sipas tij, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës jo vetëm qëllimisht ka mangësi dhe paqartësi në dokumentacion e tenderave, por dhe ka zvarritur apo anuluar procedura thjesht për mangësi të brendshme të organizimit të këtij institucioni. Ai tha se këto zvarritje krijojnë dyshime tek operatorët ekonomike për drejtësinë e vendimeve. Deputeti Harasani solli në vëmendje shembullin e hidrocentralit Thanë në Lushnje, ku sipas tij, Ministria u komunikoi operatorëve ekonomike anullimin e procedurës kur kishin kaluar rreth 10 muaj nga data e dorëzimit të ofertave. Në një kohë kur ekranet e të gjithave mediave, mbushen orar e pa orar me reklama të Ministrisë së Ekonomisë për ëndrrat e tyre në mbrëmjen e Vitit të Ri, dhe kur përmenden pothuaj një e katërta e të gjitha fshatrave, duke i dhuruar secilit nga këto fshatra për momentin vetëm nga një hidrocentral të vogël, u shpreh Harasani, duke shtuar se është pikërisht kjo ministri që vonoi TEC-in e Vlorës dhe linjën e transmetimit me Malin e zi, për shkak të preferencave gjermane, dhe ndërkohe të gjitha këto koncesione që mbijnë si kërpudhat pas shiut, asnjë nuk ka filluar të paktën të heqë dhe një lopatë dhe.  Në 82 ditët që ngelen që nga përfundimi i mandatit katër vjeçar të qeverisjes, Harasani u shpreh se kjo është qeverisja që nuk meritojmë, politika që kërkon të riciklohet sërish,  është e verbër ndaj faktit të qartë për të gjithë shqiptarët, se vendi ynë po përballet me disa çështje të një rëndësie të veçantë. Të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri e dinë fare mirë se papunësia po rritet, biznesi është në vështirësi dhe ekonomia po tkurret, u shpreh Harasani, duke shtuar se disa nga këto probleme lidhen me krizën ekonomike që ka përfshirë të gjithë botën, por disa janë përgjegjësi të drejtpërdrejta të qeverisë, e cila nuk ka kryer detyrën e saj për të ndihmuar njerëzit, për të krijuar punë, për të stimuluar ekonominë. Harasani deklaroi se tashmë nuk është thjesht opozita që kritikon, por vetë institucionet e Shtetit Shqiptar. Shqipëria sot gjendet përballë sfidave të mëdha. Shqiptarët duhet të përballen me probleme reale. Ulja e numrit te vendeve të reja të punës në vendin tonë, rritja e papunësisë dhe e çmimeve janë me evidente se kurrë, u shpreh deputeti Harasani. Sipas tij, thelbi nuk qëndron tek shifrat dhe numrat, por qëndron tek sjellja e kësaj qeverie. Shqiptarët që jetojnë në fshat dhe në qytet e ndiejnë se ka diçka që nuk shkon, por qeveria nuk e pranon.  Është vërtet e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme kjo sjellje e qeverisë.  Kjo qeveri ose nuk e kupton se çfarë po ndodh në Shqipëri, ose nuk do ta pranojë realitetin, u shpreh Harasani, duke shtuar se nëse nuk e kupton atëherë shqiptarët drejtohen nga një qeveri e paaftë, dhe kjo është vërtet për të ardhur keq.  Nëse Kryeministri Berisha nuk dëshiron ta pranojë realitetin, atëherë situata është edhe më e rëndë, pasi kjo lloj sjelljeje në të shkuarën ka rezultuar fatale. Deputeti Harasani në mënyrë të përsëritur kërkoi që kjo qeveri të ikë. Të ikë që të ketë kohë të turpërohet, të ikë që të ketë kohë të pendohet. Të ikë me votë, të ikë duke ju dhënë mundësi të gjithë shqiptarëve që të ushtrojnë sovranitetin e tyre në 24 orëshin e datës 28 qershor, me atë dinjitet evropian që ai megjithatë, nuk do të mundë tua marrë.  4 vjet të tjera si këto që mbarojnë në 28 Qershor nuk i duhen më Shqipërisë dhe shqiptarëve, u shpreh Harasani.   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›