Beqja: “Qeveria ka zhytur vendin në krizë të thellë ekonomike”
Pas vendimit të qeverisë dy ditë më parë për dyfishimin e çmimit të ujit ka reaguar dje Partia Socialiste. Deputeti Ilir Beqja shprehu shqetësimin se Shqipëria është zhytur jo vetëm në krizë politike, por edhe në krizë ekonomike. “Ushqimet janë shtrenjtuar 7% për qind. Nesër familjeve shqiptare do t’u vijnë faturat e reja të energjisë elektrike, të paktën 10 % më të shtrenjta. Kompensimet ende nuk janë zbatuar dhe mesa duket do të dështojnë si kompensimet e viteve të fundit”,- u shpreh Beqja. Ndërkaq, deputeti socialist deklaroi se leku është ç’vlerësuar me 10 % kundrejt euros, duke qenë se sot 1 euro blihet 140 lekë dhe 1 dollarë 100 lekë. “Në këto ditë të ftohta dimri, edhe çmimi i gazit është rritur 20 për qind, si rezultat i situatës monopol në treg. Sali Berisha shtrenjtoi bukën, shtrenjtoi dritat, shtrenjtoi gazin, shtrenjtoi spitalet, dhe tani po shtrenjton dhe ujin”,- tha Beqja. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili sipas tij, në tetor të vitit 2009-të, brenda natës, katërfishoi tarifat e shërbimeve shëndetësore. “Tashmë 4 herë më shumë paguajnë për shërbimet shëndetësore 800 mijë shqiptarë të pasiguruar dhe vetëm vegla e Sali Berishës, INSTAT, nuk ka veshë të dëgjojë dhe sy të shikojë”,- u shpreh deputeti Beqja.
Eurostat: Papunësia në BE arin në shifra rekord që nga viti 2000
Papunësia në eurozonën në dhjetor të vitit 2009 arriti 10 për qind. Një lajm i tillë konfirmohet nga Instituti Evropian i Statistikave, sipas të cilit, në muajin dhjetor në 27 vendet anëtare të BE-së rezultonin të ishin rreth 23 milionë gra dhe burra pa punë. Sipas të dhënave të “Eurostat”, në fund të vitit të kaluar, gjatë festave 87 mijë njerëz mbetën pa punë, ndërsa vetëm gjatë nëntorit janë dhënë 102 mijë pushime nga puna. Kjo do të thotë në shifra konkrete se janë 4.6 milionë të papunë evropianë më shumë se para një viti. Niveli i papunësisë ka arritur në 9.6%, kuotë kjo e vlerësuar si më e larta qysh prej fillimit të funksionimit të zyrës së statistikave në vitin 2000. Vendi me nivelin më të lartë rezulton të jetë Letonia, duke kapur një shifër prej 23%. Ndërsa në mesin e vendeve me normë më të ulët të papunësisë, “Eurostat” rendit Holandën me 3.4%, Austrinë 4.4% dhe Qipron 5,5%. Të dhënat sipas gjinisë tregojnë se, shkalla e papunësisë për meshkuj u rrit nga 6,9% në 9.3% në Eurozonë dhe nga 6.6% në 9.1% në BE në tërësi. Raporti thekson se ajo që është problematike, është rritja e numrit të të papunëve nën moshën 25 vjeç. Në dhjetor të vitit 2008 përqindja ishte 16.9, ndërsa për vitin 2009 kjo përqindje arriti në 21.4.
1 Shkurt 2010