Udhëzimi ri, rastet kur do të jepet akti i rikonfirmimit të pronësisë për tokat bujqësore
Laureta Rryçi
Qeveria nxjerr udhëzim të veçantë ku përcaktohen rastet kur komisionet vendore, pas shqyrtimit të ankesave për tokat bujqësore, do t’i pajisin qytetarin me aktin e rikonfirmimit të pronësisë. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm procedurën e plotë se çfarë do të ndodhë me të gjitha ankesat për pronësinë e tokave bujqësore; ankesa këto që mund të bëhen nga individë apo edhe institucione shtetërore te komisionet vendore që janë ngritur posaçërisht për të verifikuar titujt e pronësisë në tokat bujqësore.
Udhëzimi
Komisionet vendore të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV) do të kryejnë verifikimin apo shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, kur kërkesa paraqitet nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Zyra vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dërgon në KV kërkesën për verifikimin apo shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të aktit të marrjes së tokës në pronësi, bashkë me relacionin përkatës, kur konstaton se regjistrimi në origjinë i tokës bujqësore ka mangësi apo është kryer në kundërshtim me ligjin. Këto raste janë kur në aktin e marrjes së tokës në pronësi mungojnë një apo më shumë elemente të formës
a përmbajtjes. Në këto raste KV vendos: Mosshqyrtimin e kërkesës, kur akti i marrjes së tokës në pronësi (origjinali, dokumenti i njehsuar me origjinalin, dublikata apo fotokopja e noterizuar) rezulton se nuk plotëson të paktën
njërën nga kërkesat e përcaktuara në këtë udhëzim. Komisionet mund të nisin shqyrtimin e kërkesës kur akti i marrjes së tokës në pronësi (origjinali), dokumenti i njehsuar me origjinalin, dublikata apo fotokopja e noterizuar rezulton se ka mangësi në kundërshtim me ligjin. Këto raste janë kur akti i marrjes së tokës në pronësi nuk administrohet në zyrën e regjistrimit ose
administrohet një kopje e panoterizuar, edhe pse regjistrimi rezulton i kryer. KV-të për kërkesat e paraqitura për këto raste vendosin mosshqyrtimin e tyre. Në ato raste kur është kryer në bazë të aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, me shënimin "Dublikatë", KV në këto raste vendos shqyrtimin e kërkesave të paraqitura. Kjo ndodh zakonisht kur sipërfaqja e të gjitha pasurive të dhëna me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, në total, del më e vogël se sipërfaqja e këtyre pasurive, të dala gjatë regjistrimit fillestar dhe të pasqyruara në kartelat e pasurisë. KV-ja vendos shqyrtimin e kërkesave të paraqitura për këto raste vetëm kur kërkuesi ka përcaktuar saktësisht çfarë kërkon të verifikojë apo shqyrtojë në aktin përkatës të marrjes së tokës në pronësi.
Dokumentacioni
Kur KV ka vendosur shqyrtimin e kërkesave të sipërpërmendura, mbledh dokumentacionin e nevojshëm, duke iu drejtuar institucioneve të mëposhtme: kryetarit të komunës/bashkisë përkatëse, të cilit i kërkohet: sipërfaqja e tokës bujqësore, të vënë në dispozicion për t’u ndarë, sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore; numri i frymëve , sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore; norma e tokës bujqësore, në m2, për frymë, sipas fshatrave, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore, duke specifikuar treguesit e domosdoshëm, të përcaktuar në Vendimin Nr. 255, datë 2.8.1991 të Këshillit të Ministrave; konfirmimi nëse është lëshuar apo jo akti i marrjes së tokës në pronësi, në sipërfaqen e tokës bujqësore, sipas aktit që verifikohet apo shqyrtohet, për persona të tjerë; çdo informacion tjetër që gjykohet i nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të kërkesës. KV i kërkon seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës në këshillin e qarkut: konfirmimi i zërit kadastral, për ngastrën/ngastrat, sipas aktit të marrjes së tokës në pronësi, të paraqitur për verifikim apo shqyrtim; sipërfaqja e tokës bujqësore, për fshatin ku ndodhet sipërfaqja e përcaktuar në aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, të paraqitur për verifikim apo shqyrtim, vënë në dispozicion për t’u ndarë më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore; norma e tokës bujqësore, në m2, për frymë, për fshatin ku ndodhet sipërfaqja e përcaktuar në aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, të paraqitur për verifikim apo shqyrtim, më 1.8.1991, për ish-kooperativat bujqësore, apo më 1.10.1992, për ish-ndërmarrjet bujqësore, duke specifikuar treguesit e domosdoshëm, të përcaktuar në Vendimin Nr.255, datë 2.8.1991, të Këshillit të Ministrave. Ndërsa zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, së cilës i kërkohet konfirmimi i gjendjes juridike aktuale të pronësisë, për ngastrën/ngastrat, sipas aktit të marrjes së tokës bujqësore
në pronësi, për të cilin do të kryhet verifikimi apo shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore. Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të cilit i kërkohet të konfirmojë nëse përfituesit e tokës
bujqësore, sipas aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, për të cilin do të kryhet verifikimi apo shqyrtimi i vlefshmërisë ligjore, kanë qenë ose jo më 1.8.1991 anëtarë të ish-kooperativës bujqësore apo më 1.10.1992 punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore.
Seksionet e administrimit dhe mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut
Seksioni i administrimit dhe mbrojtjes së tokës në këshillin e qarkut dërgon në KV kërkesën për verifikim apo shqyrtim të vlefshmërisë ligjore të krijimit të aktit të marrjes së tokës
bujqësore në pronësi, së bashku me relacionin përkatës kur konstaton se akti i marrjes së tokës bujqësore në pronësi është kryer në kundërshtim me ligjin, për shkak se: përfituesi nuk ka qenë subjekt i trajtimit me tokë bujqësore, sipas njërit nga aktet e mëposhtme, ligjore e nënligjore: Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991,"Për tokën", të ndryshuar; Ligjit Nr.8053, datë 21.12.1995, "Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore"; Ligjit Nr. 8312, datë 26.3.1998, "Për tokat bujqësore të pandara"; si dhe Vendimit Nr. 452, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave, "Për ristrukturimin e ndërmarrjeve shtetërore", të ndryshuar. KV, për këto raste, vendos shqyrtimin e kërkesave të paraqitura, kur akti i marrjes së tokës bujqësore në pronësi nuk përmban të gjitha elementet. KV për kërkesat e paraqitura në këto raste vendos: i) mosshqyrtimin e kërkesës, kur akti i marrjes së tokës bujqësore në pronësi (origjinali, dokumenti i njësuar me origjinalin, dublikata apo fotokopja e noterizuar) rezulton se nuk plotëson të paktën njërën nga kërkesat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” e “ç”, të pikës 1, të Udhëzimit Nr. 2, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave. ii) shqyrtimin e kërkesës, kur akti i marrjes së tokës bujqësore në pronësi (origjinali, dokumenti i njësuar me origjinalin, dublikata apo fotokopja e noterizuar), rezulton se nuk plotëson të
paktën njërën nga kërkesat e përcaktuara në shkronjat “c”, “d” e “dh”, të pikës 1, të Udhëzimit Nr. 2, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur planvendosja nuk është konfirmuar nga komuna/bashkia përkatëse. KV, për kërkesat e paraqitura në këto raste, vendos, fillimisht, shqyrtimin e tyre dhe nëse rezulton se akti është i rregullt është e detyruar ta shoqërojë atë me planvendosje, sipërfaqja e së cilës të përputhet me atë të përcaktuar në akt. Planvendosja realizohet, paraprakisht, nga qytetari me një topograf të licencuar dhe pas verifikimit nga topografi i KV-së merr konfirmimin e komisionit vendor.
Kur merret akti i rikonfirmimit
Kur KV, pas verifikimit apo shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi konstaton se: a) këto akte janë krijuar në përputhje me kriteret e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4, të Ligjit Nr.9948, datë 7.7.2008, deklaron, me vendim, vlefshmërinë ligjore të krijimit të tyre dhe përgatit dokumentin e ri për rikonfirmim, sipas modelit të paraqitur në lidhjen “B”, që i bashkëlidhet këtij
udhëzimi. Ky dokument përgatitet në tri kopje, nga të cilat:
i) një kopje, e lidhur me vulë lidhëse me fotokopjen e aktit të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, dërgohet në zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, e cila i bashkëlidhet
aktit origjinal të marrjes së tokës bujqësore në pronësi;
ii) një kopje i jepet përfaqësuesit me prokurë të familjes bujqësore;
iii) një kopje, së bashku me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi dhe dokumentacionin e krijuar, ruhet në dosjen përkatëse të komisionit vendor. KV mban një regjistër të veçantë për regjistrimin e akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi të rikonfirmuara, kopertina e të cilit përgatitet sipas modelit të paraqitur në lidhjen “C”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi.
1 Shkurt 2010