E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza uli të ardhurat doganore, vendi humbi 35 milionë dollarë në vitin 2009

Ervin KOÇI

Kriza ekonomike që u thellua gjatë vitit 2009, solli një deficit prej 35 milionë dollarësh për Administratën Doganore. Plani për realizimin e të ardhurave për vitin që lamë pas, ishte një dështim i vërtetë për këtë administratë e cila me të ardhurat e saj mbush një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit. Të dhënat e fundit zyrtare nga kjo administratë, që i referoheshin vitit 2009, treguan për një mosrealizim të ardhurash të cilat krijuan një gropë të madhe humbjesh për doganat shqiptare. Shkak për këtë humbje ishin pasojat e krizës ekonomike që përfshinë një numër shumë të madh kompanishë private që merreshin me import-eksport. Por sipas ekspertëve të kësaj administrate, dështimi do të ishte edhe më i madh, në rast se dogana nuk do të kishte përdorur gjerësisht çmimet referencë mbi mallrat e importit. Duke i parë rezultatet për çdo taksë, duket qartë se përdorimi i referencave, aq shumë i kundërshtuar nga biznesi, ka zbutur krizën te të ardhurat doganore. Sipas statistikave, importet kanë rënë me rreth 10 për qind, kurse të ardhurat në krahasim me vitin 2008 janë rritur me 2-3 për qind, duke faktuar se “suksesi” është meritë e referencave, model që godet bizneset dhe i kundërshtuar nga Bashkimi Europian.

Referencat

Përdorimi pa masë i çmimit të referencës mbi mallrat e importit, edhe nëse ato shoqëroheshin me faturë, u bë objekt debatesh mes qeverisë dhe biznesit gjatë vitit të kaluar. Madje diskutimet kanë përfunduar edhe në zyrat e Brukselit, por pala shqiptare është munduar t’ua mbushë mendjen përfaqësuesve të biznesit se, “referencat do të reduktohen”. Aktualisht, sipas qeverisë, përdorimi i referencave në doganë është në masën 30 për qind, nga 70 për qind që ishte katër vjet më parë. Por biznesi pretendon të kundërtën, madje në disa raste çmimi referencë i vendosur nga dogana ka arritur edhe në 150 për qind, duke prishur konkurrencën në treg. Në të gjitha forumet dhe konferencat me tema ekonomike, bizneset kanë vënë në dukje shqetësimin kryesor për sa i takon aktivitetit doganor dhe referencave.

Të ardhurat

Sipas planit, administrata doganore duhet të mblidhte rreth 110 miliardë e 36 milionë lekë, por fakti është se kanë mundur të realizojnë gjatë 2009-s vetëm 108 miliardë e 759 milionë lekë, me një diferencë mangët rreth 3 miliardë e 122 milionë lekë (afro 35 milionë dollarë). Shkak i rezultateve të dobëta është edhe taksa doganore, e cila në katër vitet e fundit është reduktuar si pasojë e marrëveshjeve tregtare me BE-në, duke sjellë mesatarisht ulje të ardhurash me 1.5 miliardë lekë. Ndërkaq, të ardhurat nga akciza kanë pasur një rënie modeste, me rreth 400 milionë lekë, ndërsa totali gjatë vitit të kaluar ishte 20 miliardë e 486 milionë lekë. Historiku tregon se nga akciza dogana vilte çdo vit rreth 3.5 miliardë lekë më shumë, por në vitin e fundit kriza e frenoi rritjen, madje e ka ulur atë. Importet janë shkaku kryesor, pasi u regjistruan rreth 9 miliardë lekë më pak mallra se në vitin 2008. Pavarësisht kësaj, dogana arriti të ketë më shumë të ardhura se një vit më parë, falë mekanizmit të gjobave dhe referencave. Edhe TVSH-ja, taksa kryesore që siguron të ardhura, e ka frenuar rritjen, nga 10 miliardë lekë mesatarisht çdo vit, në fund të 2009-s regjistroi një rritje më pak se 2 miliardë lekë.

Pagesa e taksave, institucionet shtetërore borxhlinj ndaj Tatimeve

Jo vetëm subjektet private, por edhe ato shtetërore nuk janë korrekte në pagesën e taksave dhe detyrimeve të tjera tatimore. Dega rajonale e tatim-taksave Fier ka përpiluar listën e të gjithë debitorëve të saj, të cilët nuk kanë paguar detyrimet tatimore. Mes debitorëve ka me dhjetëra biznese private, si dhe shtetërore, që nuk kanë shlyer detyrimet tatimore për vitin 2009. Drejtori i tatim-taksave për Fierin dhe Ballshin, Agim Isufaj, thotë se borxhi shkon në disa milionë lekë, shkaktuar kryesisht nga institucionet shtetërore. “Rreth 60 milionë lekë janë arkëtime që duhet të ishin kryer gjatë 2009-s, por për shkaqe të ndryshme nuk është bërë, duke u kthyer në borxhe. Këto borxhe janë shkaktuar nga mosshlyerja e detyrimeve tatimore kryesisht gjatë vitit 2009 dhe 2008”,- thotë Isufaj. Drejtori i degës rajonale të tatimeve Fier sqaron se, te kjo shifër debie nuk hyn një biznes i madh, i cili u ka tatimeve një borxh prej 52 milionë lekësh. Me këtë biznes, tatimet janë në fazën e fundit të gjykimit dhe paraprakisht ndaj tij kanë marrë vendimin e bllokimit të aktivitetit. Nga totali i detyrimeve të prapambetura, shteti zë rreth 35 milionë lekë. Edhe kompania e naftës “Albpetrol” ka borxhe te tatimet, sikurse të zakonshmit ujësjellësi, në masën 15 milionë lekë.

1 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›