Beqja: Qeveria krijon klimë mbytëse për biznesin
Opozita akuzoi Kryeministrin, se edhe pas 42 muajve në detyrë, mbetet personi që burgos sipërmarrës dhe djeg biznese. "Referencat e çmimeve të importit, referencat e çmimeve të shitjes, referencat e pagave, apo referencat e numrit të punonjësve kanë asfiksuar sipërmarrjet shqiptare", u shpreh Ilir Beqja. Sipas tij, vetëm në qytetin e Korçës, gjatë vitit 2008, u mbyllën disa qindra biznese të vogla, por qeveria e Sali Berishës nuk mjaftohet me kaq. PS-ja këmbëngul se për motive politike, Sali Berisha gjobiti para dy vjetësh një sipërmarrje tjetër mediatike. "Por për motive të pastra politike, Sali Berisha çoi në falimentim një tjetër sipërmarrje, këtë herë në fushën e transportit ajror. Qeveria e Sali Berishës ka probleme edhe me sipërmarrjen e huaj", konstatoi Beqja. Këto ditë, vijoi ai, jemi njohur me shqetësimet e ngritura nga kompania gjermane TUV, pjesëmarrëse në garën për koncesionin e shërbimit të kontrollit periodik të automjeteve. "Ndërkohë që një nga sipërmarrësit e huaj, pjesëmarrës në garën për privatizimin e ARMO-s, pas denoncimeve publike ka paditur në prokurori qeverinë shqiptare", tha Beqja.