E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Investimet e huaja "dobësojnë" lekun

Viti 2008 e ka parë monedhën vendase, lekun, në një situatë të paparë. Zakonisht në sezonin e verës, kur vijnë emigrantët, por edhe në fund të vitit, leku njeh vetëm rritje, nisur nga kërkesa e lartë në raport me euron. Sipas Bankës së Shqipërisë, dobësimi i lekut në periudha kur pritej e kundërta, ka ardhur si rezultat i dy faktorëve. Konkretisht, tremujori i tretë i vitit 2008 është karakterizuar nga një theksim i tendencës rënëse të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut, një tendencë kjo e vërejtur që nga fillimi i tremujorit të dytë të këtij viti. Në terma nominalë efektivë vjetorë, ndryshimi i indeksit ka rezultuar 2.40 për qind në tremujorin e tretë, më i lartë se 1.60 për qind që ishte një vit më parë. Në muajin tetor kjo tendencë i ka lënë vendin një nënçmimi të lekut, ku për herë të parë që nga muaji maj i vitit 2007, niveli ka prekur vlera negative, duke arritur në -2.0 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë, dobësimi i lekut në fund të tremujorit të tretë dhe fillim të tremujorit të katërt ka pasqyruar zhvillimet e tregut të brendshëm, si dhe ecurinë e raportit euro/usd në tregjet ndërkombëtare. "Nënçmimi i lekut kundrejt monedhës evropiane ka ardhur si rezultat i kërkesës së lartë për këtë të fundit. Kjo kërkesë është përqendruar kryesisht në dy periudha. Fillimisht gjatë muajit shtator, kur kërkesa për valutë ka ardhur si rezultat i konvertimit të fitimeve nga kompanitë e huaja dhe pas një korrektimi të këtij efekti; dhe në tetor nga kërkesa e lartë për valutë kryesisht jashtë sistemit bankar", raporton BSH-ja. Sipas bankës, në tetor leku është dobësuar në terma vjetorë kundrejt euros dhe dollarit, përkatësisht me 0.6 dhe 7.6 pikë përqindjeje. Gjithashtu, nënçmimi i lekut kundrejt monedhës evropiane krahasuar me një vit më parë, në tetor, është theksuar edhe më shumë nga konvertimi i kapitalit të bankave të nivelit të dytë nga valutë në lekë në vitin 2007.

Gjatë ditës së djeshme, duke iu referuar kursit zyrtar të këmbimit, dollari është këmbyer me 94.25 lekë, me një rritje prej +0.83 për qind, ndërsa euro për 125.39 lekë, me një rritje prej rreth 0.21 për qind.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›