Listat e kandidatëve për deputetë të PD-së, Topalli takohet me krerët e degës së Shkodrës
Megjithëse Presidenti ende nuk e ka dekretuar datën e zgjedhjeve, kjo duket se nuk e pengon aspak PD-në që të mendojë, madje të projektojë organizimin e fushatës së re elektorale. PD-ja ka ndarë grupet e punës për 12 qarqet e vendit dhe në krye të çdo grupi pune janë drejtuesit më të lartë të mazhorancës: nga nënkryetarët e partisë, sekretariati dhe deputetët e grupit parlamentar. Secili prej tyre ka nisur takimet me drejtuesit e degëve të qarkut të tij, për të diskutuar më konkretisht mbi piketat nga të cilat do të mbahet fushata elektorale e zgjedhjeve të qershorit 2009. Të njëjtën gjë ka bërë dje edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka mbledhur në një drekë pune në Vilën 31 të gjithë krerët e degëve të PD-së së Qarkut të Shkodrës. Takimi ka zgjatur për gati dy orë dhe është zhvilluar larg syve të mediave. Nga burime brenda takimit, bëhet e ditur se tema kryesore e diskutimit mes krerëve të PD-së së Qarkut të Shkodrës dhe deputetes së kësaj zone, Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, është përqendruar te lista e deputetëve. Kryetarja e Parlamentit ka pasur një listë të sajën me emra konkretë, të cilët ua ka parashtruar drejtuesve të degëve të PD-së së Qarkut të Shkodrës, nga të cilët ka marrë edhe opinionet konkrete. Nga takimi nuk bëhen të ditura emrat e propozuar nga Topalli, por disa prej tyre nuk e kanë gjetur mbështetjen e drejtuesve të PD-së së Qarkut të Shkodrës. Me sistemin e ri zgjedhor nuk votohet për kandidatura të veçanta, ashtu siç ka ndodhur deri më tani, por votohet për një listë në bllok, e cila duhet të jetë e mirëpritur nga strukturat e degës së partisë për çdo qark, për të pasur më të sigurt edhe votat për subjektin. Gjithashtu, gjatë kësaj dreke pune është diskutuar edhe për mënyrën e organizimit të fushatës elektorale, e cila pritet të nisë më konkretisht pas shpalljes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës. Të njëjtën gjë si Kryetarja e Kuvendit, por në qarqet e tyre, kanë nisur të bëjnë edhe drejtuesit e tjerë të lartë të PD-së. Ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili është edhe sekretar i përgjithshëm i PD-së, ka zhvilluar një takim para pak ditësh me drejtuesit e PD-së së Qarkut të Korçës, me të cilët ka diskutuar për organizimin e fushatës dhe për emrat që pritet të jenë pjesë e listës për deputetë të PD-së. Gjithsesi, është ende herët për të folur konkretisht për listën e kandidatëve, pasi do të jetë Kryeministri Berisha pas konsultimeve përfundimtare, që do të vendosë veton e tij. Listë e cila pritet të ketë mjaft emra të rinj, ndër to edhe femra.