E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të gjithë tenderët, para zgjedhjeve

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar përfundimin e të gjitha procedurave të prokurimit publik brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2009. Gjatë një mbledhjeje të zhvilluar pak ditë më parë në Kryeministri, Berisha bëri thirrje nëpërmjet Ministrisë së Brendshme, që pushteti lokal duhet ta përfundojë të gjithë procesin e tenderëve për investimet para korrikut 2009, periudhë që përkon me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Kërkesa e Kryeministrit është përqendruar direkt te komunat, të cilat në mjaft raste paraqesin vështirësi në zhvillimin normal të tenderëve brenda afateve. Meraku i Kryeministrit lidhet më së shumti me sistemin e ri të kryerjes së tenderëve, i cili që nga janari 2009 kalon përmes internetit. Sipas ligjit të ri për prokurimin publik, të gjithë tenderët duhet të realizohen përmes sistemit on line. Nga ky vendim nuk përjashtohen as komunat dhe bashkitë, të cilat kanë mangësi stafi dhe eksperience për zbatimin e rregullave të reja. Tashmë që fushata elektorale po afron, qeveria është duke marrë masat e nevojshme për realizimin sa më me sukses të planit të investimeve. Realizimi i punëve publike zakonisht ndodh në pjesën e dytë të vitit, për shkak se pushteti vendor ka probleme me miratimin e buxhetit. Shtyrja e afateve dhe anulimi i tenderëve për shkak të mangësive të dokumenteve kanë sjellë gjithnjë vonesa për realizimin në kohë të investimeve. Nisur nga kjo situatë, problemet e tri viteve të fundit nuk duhet të përsëriten në vitin elektoral, i cili konsiderohet tepër i fortë.

Urdhri

Një pjesë e komunave i kanë lidhur kontratat me firmat private në javën e fundit të vitit, ndërsa disa të tjera ka zhvilluar tenderë edhe në 27-31 dhjetor, pa pasur në dispozicion fondet. Duke qenë se do të përballen me procedurat e reja të prokurimit, të cilat nuk japin shumë hapësira për korrupsion, disa komuna kanë kryer tenderë para hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Sipas rregullave të reja, ndalohet zhvillimi i procedurave të prokurimit publik me dokumentet e dorëzuara dorazi. Çdo veprim kalon përmes internetit, përfshi edhe rezultati final. Edhe pse hasin në disa probleme, për Kryeministrin Berisha ka shumë rëndësi fakti i përfundimit të të gjithë tenderëve brenda pjesës së parë të vitit, në fundin e të cilit janë parashikuar zgjedhjet parlamentare.

Buxheti

I gjithë buxheti për pushtetin lokal llogaritet në rreth 36.8 miliardë lekë, ku gjysma do të sigurohet nga fondet e qeverisë, ndërsa pjesa tjetër nga të ardhurat e taksave që mblidhen nga bashkitë dhe komunat. Buxheti për pushtetin vendor vlerësohet të zërë 3.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto-PBB. Edhe pse mbështetja nga qeveria për fonde nuk ka munguar, pushteti lokal ka rezultuar gjithnjë me mosrealizim të investimeve, deri në masën 30 për qind. Duke qenë se premtimet e qeverisë lidhen direkt dhe me punën e bërë nga pushteti lokal, Kryeministri Berisha ka nisur që tani thirrjet që tenderët për lidhje kontratash me privatin për punët publike, të nisin në janar dhe të mbyllen brenda qershorit 2009.

Shqetësimi

Duke qenë se premtimet e qeverisë lidhen direkt dhe me punën e bërë nga pushteti lokal, Kryeministri Berisha ka nisur që tani thirrjet që tenderët për lidhje kontratash me privatin për punët publike, të nisin në janar dhe të mbyllen brenda qershorit 2009



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›