E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Reforma e pensioneve, qeveria mashtron

Nënsekretari socialist për programin politik, Ilir Beqja, denoncoi atë çka e cilësoi diversion të ulët të bërë nga Ministria e Financave për reformën e pensioneve. "Denoncojmë diversionin e ulët të bërë nga drejtues të Ministrisë së Financave për reformën e pensioneve. Po mbyllet muaji janar i vitit 2009 dhe profili social i qeverisë së Kryeministrit Berisha vazhdon të rrënohet", sqaroi Beqja. Sipas tij, qeveria po miraton uljen e përqindjes së kontributeve të detyrueshme në përpjekje të dëshpëruar për të ulur barrën e kostos së fuqisë punëtore te sipërmarrësit. "Në këtë përpjekje të dështuar, qeveria rreket të bëjë palë edhe opozitën duke bërë një diversion të fëlliqur në Komisionin e Ekonomisë të Kuvendit. Në mbledhjen e këtij Komisioni, ditën e hënë, drejtues të lartë të Ministrisë së Financave kanë gënjyer kur kanë deklaruar se opozita ka qenë dakord për këtë reformë të qeverisë", u shpreh Beqja. Si i mandatuar nga Partia Socialiste për të marrë pjesë në grupin e reformës së pensioneve, vijoi ai, deklaroj me përgjegjësi të plotë, se në asnjë nga 5 mbledhjet e këtij grupi, qeveria nuk ka paraqitur asnjë opsion për këtë reformë. "Për etikë profesionale, nuk dëshiroj të bëj sot publike procesverbalet e mbledhjeve të grupit të punës", tha Beqja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›