E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfi dhe Zëri, emrat e PSD-së për në KQZ

Partia Socialiste Demokrate konkretizon propozimet e saj për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Një ditë pasi Partia Republikane propozoi emrat e Klemend Zgurit dhe Arben Braçes, pas një mbledhjeje të djeshme është rënë dakord për emrat mbi të cilët do të fillojë procesi i marrjes së firmave të nevojshme. Diçka e tillë do të konkretizohet ditën e sotme dhe mes emrave janë më të kuotuar Pandeli Varfi dhe Pavli Zëri. Burimet brenda Partisë Socialdemokrate konfirmojnë këta emra të përzgjedhur. Varfi ka qenë edhe më parë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe është larguar pasi i skadoi mandati. Sakaq, Pavli Zëri në qeverisjen e majtë ka mbajtur funksionin e këshilltarit diplomatik të ish-kryeministrit Fatos Nano, më pas zëvendësministër i Mbrojtjes dhe së fundi ambasador në Itali. Nga Partia Socialiste ende mbeten enigmë emra dhe mungojnë propozimet zyrtare. Paraprakisht mendohet se një prej anëtarëve aktualë mund të rizgjidhet në këtë post. Emri më i përshtatshëm për këtë është ai i anëtares aktuale, Dëshira Subashi. Sakaq, disa prej emrave të shfaqur mediatikisht duket se nuk përmbushin kushtin për të qenë anëtar të KQZ-së. Genc Gjonçaj dhe Damian Gjiknuri janë aktualisht anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Sipas Kodit Zgjedhor, anëtar i KQZ -së mundet të emërohet çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili përmbush këto kritere:

a) të jetë me moshë mbi 30 vjeç; b) të jetë me arsimin të lartë;

c) të ketë eksperiencë profesionale prej jo më pak se 5 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme: i. në fushën e së drejtës; ii. në administratën publike; iii. në administrimin e zgjedhjeve; iv. si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre, mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, apo politikat publike; ç) të mos jetë i dënuar penalisht; d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit; dh) të mos ketë qenë, i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit; e) të mos ketë shërbyer në 5 vitet e fundit si punonjës në Policinë e Shtetit, Forcat të

Armatosura dhe Shërbimin Informativ Shtetëror; ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›