E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Rritja e pensioneve, demagogjike

 

Nënsekretari për programin bën bilancin. Reagon zëdhënësi i PD-së.

TIRANË- Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja, ka deklaruar dje se rritja e pensioneve e trumbetuar nga kryeministri Sali Berisha është e pamjaftueshme nisur nga shtrenjtimi i ndjeshëm i jetesës. “Rritja prej 35 % në të tri vitet bashkë është vetëm për pensionistët në qytet që marrin pension minimal, sepse për 37 mijë pensionistë të tjerë në qytet që marrin pensione të pjesshme, të ardhurat mujore nuk kalojnë akoma 10 mijë lekë në muaj. Qeveria e kryeministrit që vijon të rrëshqasë në drejtim të paditur nuk e llogariti dhe nuk e shpalli kurrë minimumin jetik. Partia Socialiste do ta bëjë këtë qysh në fillim të mandatit të saj. Kjo është një nga detyrat e para të shtëpisë për një qeveri që mendon seriozisht për pensionistët. Për 100 mijë pensionistë të tjerë të qytetit rritja prej 6.7 % në vit është rritja më e ulët e pensioneve në 17 vjetët e fundit. Ndërkohë që inflacioni i pensionistëve që prej muajit mars 2008 është rreth 6 %”,- tha dje Beqja. Ndërsa në fshat, sipas tij, gjendja vazhdon të jetë edhe më e rëndë. “Në fshat gjendja e pensionistëve mbetet skandaloze, megjithëse kryeministri që vijon të rrëshqasë në drejtim të paditur mburret me një rritje të pensioneve të fshatit që vlen vetëm sa për të blerë bukë dhe paguar energjinë elektrike dhe ujin. Janë 48 mijë pensionistë në fshat, apo më shumë se 1/3 e tyre, me pensione të pjesshme që akoma kanë të ardhura mujore më pak se 5 mijë lekë. Shtrenjtimi i ndjeshëm i jetesës tregon se edhe rritja e pensioneve në korrik 2008 nuk mjafton as për të kompensuar koston e disa elementeve bazë të jetesës së një familjeje pensionistësh”, - tha ai. Ndërsa zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ashtu si edhe në çdo reagim tjetër, ka deklaruar se rritja e pensioneve ka qenë e ndjeshme. “Çdo pensionist në qytet nga 83.5 $ që merrte në vitin 2005, sot merr 111 $ me kursin e këmbimit të vitit 2005. Çdo pensionist shqiptar në fshat nga 34,000 lekë pension në 2005, merr 60,500 lekë pension në 2008, pra sot merr dyfishin. Në qoftë se inflacioni është rritur me 2-4% në këto tre vite, në fund të vitit çdo pensionist në qytet ka marrë një shtesë të barabartë me 5% të pensionit mujor dhe çdo pensionist në fshat një shtesë të barabartë me 10% të pensionit, të vlefshme për të zeruar inflacionin”,- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›