Dashnor Sula: Të rikthyerit të kenë pozicione të rëndësishme në PD
Deputeti i Partisë Demokratike flet për të djathtën, situatën në PD dhe ndryshimet e fundit në qeveri
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është i mendimit se në sesionin e ardhshëm parlamentar do të vijojë konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës për projektligje të rëndësishme që pritet të diskutohen. Ndërkohë, duke pranuar se ka pasur një moment pauze në aktivitetin e strukturave të PD-së, Sula theksoi se partia në pushtet do të ketë një periudhë tremujore rikonstruktimi, nisur edhe nga nevojat që paraqet sistemi i ri zgjedhor. Deputeti i PD-së sheh si tepër pozitive edhe rikthimin e të larguarve në PD, duke sugjeruar që në bazë të kontributit të tyre politik, ata të konkurrojnë edhe për poste drejtuese, pasi siç shprehet ai, jo çdo njeri mund të jetë i përjetshëm në parti.
Z.Sula, muajin tjetër fillon edhe sesioni i ri parlamentar. Çfarë mendoni se duhet të përmirësohet sesionin e ardhshëm?
Sesioni i kaluar parlamentar përgjithësisht ka qenë i ngarkuar, por edhe pozitiv për të gjithë Kuvendin, qoftë për deputetët e mazhorancës, ashtu edhe për deputetët e opozitës. E them këtë sepse volumi i punës është përballuar pozitivisht nga deputetët, si në komisionet parlamentare, si ai i ligjeve dhe ekonomisë, që kanë pasur edhe barrën më të madhe të punës së parlamentit, ashtu edhe në seancat plenare. Debatet, veçanërisht në komisionet parlamentare, ashtu si dhe konsensusi kanë qenë për t’u admiruar. Pa dashur të ul figurën e asnjë deputeti, mendoj se një pjesë e mirë e deputetëve të rinj, që kanë ardhur si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita kanë bërë një punë më të vërtetë të kënaqshme dhe që duhet vlerësuar. Edhe sesioni i ri do të fillojë me një ngarkesë mjaft të madhe pune si diskutimi për Kodin Zgjedhor e mjaft projektligje të tjera të rëndësishme, për të cilat sërish do të ketë një debat të gjerë. Megjithatë (përpos këtyre debateve), shpresoj që ky sesion parlamentar të fillojë me një frymë bashkëpunimi, ashtu si edhe fundi i sesionit të kaluar.
Folët për bashkëpunim, por edhe për një punë të mirë nga ana e deputetëve të rinj në sesionin e kaluar parlamentar. Në fakt, sa i frytshëm ka qenë bashkëpunimi i deputetëve të rinj të PD-së dhe lidershipit të kësaj partie?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta filloja nga kryetari i PD-së, Sali Berisha. Do të thosha që z.Berisha është personi brenda PD-së, që ka ditur të thithë dhe rikthejë ato figura që kanë qenë të larguara nga PD, por edhe të respektojë prurjet e reja si z. Basha, z.Bumçi, znj.Trashani, znj.Bregu e mjaft figura të tjera. Madje disa prej tyre kanë qenë edhe anëtarë të kabinetit. Por nuk përjashtoj rastet kur figura të tjera në PD, numra të dytë të partisë, mund të kenë krijuar xhelozi. Megjithatë, pavarësisht momenteve të caktuara, situata ka qenë e kënaqshme sepse është normale që të ketë edhe konkurrencë brenda partisë.
Duke mbetur tek bashkëpunimi, po flitet së tepërmi për një rikthim të mundshëm të reformatorëve, konkretisht Genc Pollos dhe Tritan Shehut në PD, që do të shoqërohet me shkrirje mes PDR-së dhe PD-së. Një fenomen të tillë e shikoni thjesht si një domosdoshmëri për të mbijetuar disa drejtues të partive të vogla, apo një lëvizje të logjikshme?
Që nga viti 2005, Partia Demokratike ka qenë mjaft e hapur dhe këtë e dëshmoi edhe koalicioni qeverisës me një numër të madh partish. Për t’ju përgjigjur konkretisht pyetjes suaj, do të thosha që po të vëresh programet e disa partive të vogla, jo vetëm të PDR-së, por edhe PDK-së, apo edhe PAD-së, ato janë parti, që kanë dalë nga PD. Ndaj, është tepër normale dhe pozitive në të njëjtën kohë që këto parti të jenë të shkrira me PD-në. Kontributi i këtyre partive të vogla ka qenë i konsiderueshëm dhe nuk do të ishte absolutisht keq që ato të kishin edhe pozicione të rëndësishme në strukturat e PD-së,sepse edhe karriera dhe kontributi i tyre politik është i madh. Pra nuk ka asgjë të keqe që këto parti të shkrihen bashkë me PD-në dhe të jenë edhe në poste të larta drejtuese. Pastaj do të jetë vlerësimi që do të bëhet qoftë nga kryesia e PD-së, ashtu edhe nga strukturat e partisë. Mendoj se kjo lloj konkurrence do të bëjë të mundur edhe një përfaqësim më dinjitoz të PD-së në legjislativ, ekzekutiv, por edhe në strukturat e vetë partisë
Megjithatë a mendoni se do të ketë një mur mes të rikthyerve dhe strukturave drejtuesve të saj? Sa pozitivisht mund të pritet rikthimi i këtyre figurave në PD?
Jo çdo njeri që është në postet drejtuese në PD mund të jetë i përjetshëm, sepse në fund të fundit ndryshimi sjell gjithmonë lëvizje pozitive. Puna e gjithsecilit do të përcaktojë se kush do të jetë më i zoti për të qenë edhe në nivelet drejtuese të PD-së.
Duket se gjatë kësaj periudhe trevjeçare strukturat e PD-së kanë qenë thuajse inekzistente në krahasim me aktivitetin qeveritar dhe parlamentar. Çfarë duhet të ndryshojë PD këtë vit që do të jetë vendimtar për zgjedhjet e ardhshme?
Qenia në pushtet gjithnjë krijon një moment pauze në strukturat e partisë, duke pasur parasysh se njerëz që janë drejtues të këtyre strukturave, qoftë në bazë, por edhe në qendër janë pjesëtarë jo vetëm në ekzekutiv, por edhe në poste të tjera drejtuese të niveleve të para, të dyta dhe të treta. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, jo më larg se para dy muajsh shpalosi edhe një program se si duhet të bëhen zgjedhjet në PD. Ndaj muaji Shtator e në vijim do të jetë periudha që do të shoqërojë lëvizje të mëdha në strukturat e PD-së. Të mos harrojmë që sistemi i ri zgjedhor është një sistem që do të diktojë një formë të re organizimi të të gjithë subjekteve politike, ndaj dhe mund të kemi një reformim të strukturave të PD-së, të degëve dhe nëndegëve të saj me qëllim që nga muaji Janar i vitit që vjen të gjithë strukturat e PD-së nga baza e deri në qendër të jenë të fokusuara vetëm tek fitorja e zgjedhjeve të vitit 2009.
A mendoni se ndryshimet e fundit të qeverisë, ishin krejt formale nisur nga pretendimi i disa deputetëve të PD-së?
Ndryshimet e fundit në qeveri ishin të rëndësishme sepse edhe deputetët brenda mazhorancës kanë kërkuar që sektorë të rëndësishëm siç është ai i arsimit, shëndetësia apo disa sektorë të tjerë të drejtoheshin nga PD. Vendosja e z.Beja, që është një figurë mjaft e konsoliduar e PD-së, në postin e Ministrit të Arsimit ishte mjaft pozitive, dhe do të bëjë shumë punë, pa përjashtuar këtu edhe kontributin e z.Pollo, veçanërisht në reformën që ai ndërmori për maturën shtetërore.
Megjithatë sektori i shëndetësisë u përfaqësua sërish me një parti aleate, ajo republikane, që po kritikohet jo pak pas tragjedisë së Gërdecit?
PR nuk duhet vlerësuar vetëm për tragjedinë e Gërdecit. Sepse në fund të fundit përgjegjësia mund të jetë personale, dhe jo e gjithë partisë. PR ka mjaft deputetë në Kuvend, 11 të tillë, dhe nisur nga ky përfaqësim ishte mëse normale që ata të vazhdonin të ishin pjesë e koalicionit qeverisës dhe të drejtonin edhe një ministri kryesore. Unë besoj se Anila Godo, e cila nga informacionet që kam, është një mjeke mjaft e zonja, do të luajë një rol mjaft të rëndësishëm si Ministre e Shëndetësisë në përmbushjen e reformave
Pra i konsideroni të mjaftueshme ndryshimet në qeveri?
Jo nuk mund ta them këtë. I qëndroj mendimit që kryeministri Sali Berisha në saj të analizave shtatëmujore apo dhjetëmujore që do t’i bëjë secilit dikaster, nisur nga fakti se sa i janë përgjigjur kërkesave të deputetëve të Kuvendit, apo çfarë performance këto ministra kanë treguar gjatë drejtimit të dikastereve, mund të bëjë edhe ndryshime të tjera nga fundit i vitit. Ose mund të vijohet edhe me këtë qeveri nëse këto ministra do t’i përgjigjen ritmit të reformave, që do të kërkohen nga kryeministri dhe deputetët e PD-së.