E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, në shtator nisin zgjedhjet brenda partisë

 

Kongresi i muajit Maj pritet që të shtyhet pas zgjedhjeve parlamentare. Një ndër arsyet lufta e brendshme në PD

TIRANË- Krahas negociatave me partitë aleate për rikonfigurimin e së djathtës, Partia Demokratike pritet që në muajin shtator të fillojë edhe zgjedhjet brenda saj. Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, deklaroi dje se kjo është periudha në të cilën do të fillojnë edhe zgjedhjet brenda partisë. “PD-ja do të nisë bashkë me sesion e ri parlamentar dhe lëvizjen e saj organizative, i cili është një proces që do të fillojë në shtator dhe nuk do të ndalet deri në kongresin e ardhshëm", - tha Patozi. Zgjedhjet në bazë do të nisin pikërisht në muajin Shtator për të vijuar më pas me zgjedhjet ne qendër. Ashtu siç është bërë e ditur edhe më parë, zgjedhjet e strukturave në qytetet kryesore të vendit do të bëhen sipas parimit “një anëtar, një votë”, ndërkohe që ky parim nuk do të përdoret në rastin e zgjedhjes së kryetarit të partisë.

Grupet e punës

Ndërkohë që prej disa kohësh kanë startuar edhe takimet me bazën e Partisë Demokratike. 12 grupet e punës që u ngritën nga kryesia e PD-së, të miratuara më pas edhe në një mbledhje të ngushtë të Këshillit Kombëtar, kanë filluar punën në bazë me qëllim rifreskimin e strukturave të partisë në funksion të përgatitjes së tyre për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në bazë të vendimit të marrë nga PD, 12 grupet e punës në rang vendi përkojnë me 12 qarqe, ndërsa në Tiranë janë ngritur grupe pune sipas nëndegëve që në kryeqytet numërohen 11 të tilla. Në krye të organeve të punës janë anëtarët e kryesisë së PD-së, që, sipas burimeve nga PD jo vetëm që do të kryesojnë listën e partisë, por edhe do të jenë sugjeruese në caktimin e deputetëve në ato zona ku ata do të punojnë për rifreskimin e strukturave.

Kongresi i PD-së

Në bazë të statutit të partisë, kuvendi i radhës i Partisë Demokratike pritet që të mbahet në muajin Maj të vitit të ardhshëm, por që të gjitha gjasat janë që ajo të shtyhet pas zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen në muajin qershor. Demokratët shprehen se shtyrja e kongresit nuk kundërshton asnjë nen të statutit, pasi është vetë ky dokument që lë hapësira për një gjë të tillë. Megjithatë, përpos qëndrimit të shprehur se shtyrja e kongresit do të bëhet për shkak të përqendrimit të forcave për fitimin e një mandati të dytë qeverisës, duket se prapa saj në fakt fshihet një luftë e fortë brenda strukturave të larta të partisë për postet drejtuese. Kjo jo vetëm nga ata që aktualisht i gëzojnë këto poste, por edhe nga të rinjtë që erdhën nga KOP, por edhe nga të rikthyerit në PD.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›