E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr me ish-kolegun, qëllon me armë polici

 

Polici Fatmir D, ka mohuar para hetuesve se ka qëlluar me pistoletë, madje edhe se ka debatuar

TIRANË- Qëlloi me pistoletë, procedohet penalisht punonjësi i policisë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në zonën e quajtur Nish Tulla 3 në Tiranë, kur Fatmir D. 44-vjeç, me detyrë punonjës policie pranë komisariatit nr.3, dyshohet të ketë qëlluar me pistoletë, pas një sherri me një ish-kolegun e tij. Burime zyrtare nga policia e Tiranës thanë se 44-vjeçari do të ndiqet në gjendje të lirë,për veprën penale të “prishjes së qetësisë publike”, pas denoncimit që kreu ish-polici i ruajtjes së objekteve. Ndërkohë, polici Fatmir D, ka mohuar para hetuesve të çështjes se ka qëlluar me pistoletë, madje dhe se ka debatuar me ish-kolegun e tij, duke treguar se dy ditë më parë ka qenë në një dasmë. Policia sqaroi se polici vazhdon të jetë në detyrë, ndërsa pritet “fjala” e SHKB-së për të vendosur për fatin e 44-vjeçarit.

Ngjarja

Pasditen e së shtunës, një ish-punonjës i komisariatit të ruajtjes së objekteve, është paraqitur në polici dhe ka denoncuar një punonjës policie pasi ai ka qëlluar me pistoletë pas një debati që kanë pasur bashkë. Burime nga policia thanë se sipas deklaratës së ish-policit, ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë kur ai është takuar me Fatmir D, punonjës policie pranë komisariatit nr.3. Mes tyre ka nisur një debat për motive pronësie. Ish-polici ka deklaruar në polici, se 44-vjeçari Fatmir D, u irritua gjatë debatit dhe qëlloi në ajër me pistoletë, gjë e cila e ka detyruar atë të kryejë denoncim në polici. Policia nisi menjëherë hetimet për të verifikuar kallëzimin. Burime nga policia thanë se ndryshe nga deklarimi i ish-policit, ka dëshmuar 44-vjeçari. Ky i fundit u ka treguar kolegëve të tij të cilët kanë marrë në ngarkim ngjarjen, se nuk ka qëlluar me pistoletë dhe ka mohuar të ketë takuar ish-kolegun e tij, duke deklaruar se ditën e shtunë ndodhej në një dasmë.

Hetimi

Policia ka sekuestruar dy gëzhoja në vendin ku sipas denoncuesit ka qëlluar me pistoletë polici i komisariatit nr.3. Burime nga policia thanë se pritet t’i nënshtrohen ekspertizës balistike dy gëzhojat e pistoletës që u gjetën në vendin e ngjarjes, për të verifikuar nëse gëzhojat janë qitur prej pistoletës së policit. Ndërkohë që policia nuk ka siguruar ndonjë provë tjetër përtë faktuar këtë ngjarje të cilën vetë protagonisti e ka mohuar. Burimet policore bënë të ditur se pritet dhe reagimi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për të vendosur më pas për fatin e policit nëse ai do të pezullohet nga detyra. Aktualisht Fatmir D, vazhdon të jetë punonjës policie pranë komisariatit nr.3, ndërsa zyrtarisht policia e Tiranës deklaroi se ndaj tij ka filluar ndjekja penale të gjendje të lirë, pasi akuzohet se ka konsumuar veprën penale të “prishjes së rendit dhe qetësisë publike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›