Beqja: Rritja e pensioneve më e ulëta në 17 vjet
Rritja e pensioneve është më e ulëta në 17 vitet e fundit. Kjo është deklarata e bërë nga përfaqësuesi i Opozitës për çështjet e pensioneve, Ilir Beqja. Sipas tij rezulton se mbi 90 mijë pensionistë të qytetit do të marrin pas tre vjetësh vetëm 21 % më shumë pension, ose një rritje vjetore mesatarisht prej 7 % që është rritja më ulët e pensioneve në 17 vjet.
“Sipas vendimeve të miratuara ditën e mërkurë, rezulton se trajtimi i veçantë i ish – punonjësve të nëntokës do të rritet 5 %. Po kaq është rritur edhe në 2006, edhe në 2007. 5 % është rritja më e ulët e përfitimeve në 17 vjet. Ish – minatorët, sot marrin 6,000 lekë në muaj, ndërsa në korrik do të marrin 6,300 lekë në muaj ose vetëm 10 lekë në ditë më shumë” – tha Beqja.
Pagat dhe pensionet, rritja sipas kategorive
Qeveria ka publikuar rritjen e pagave që do të realizojë që prej datës 1 Korrik për të gjitha kategoritë. Kryeministri Berisha ka bërë të ditur edhe rritjen e pagave dhe pensioneve sipas kategorive kryesore. Qeveria, me anë të këtij vendimi, ka dalë kundër këshillave të bëra nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Këto dy institucione këshilluan qeverinë që të mos rrisë pagat dhe pensionet në masë, pasi efektet e mëtejshme në rritjen e inflacionit do të ishin të pashmangshme. Por pavarësisht këtij fakti, qeveria ka deklaruar se do të indeksojë pagat dhe pensionet për buxhetorët dhe pensionistët, ndërsa sektori privat është i detyruar që të mbartë koston e lartë të çmimeve në rritje.
Rritja e pagave
Pagat e mësuesve dhe të infermierëve, do të kenë rritjen më të madhe që prej datës 1 Korrik. Rritja për këto dy kategori do të jetë respektivisht me nga 14 për qind. “Për të gjithë mësuesit e Shqipërisë, pra për rreth 44 mijë arsimtarë, këtë vit do të ketë një rritje prej 14 për qind të rrogës së tyre dhe pjesa tjetër e rritjes do të jetë vitin tjetër, duke garantuar kështu dyfishimin, brenda mandatit tonë, të rrogave për të gjithë mësuesit e Shqipërisë. Pra, ne, në vitin 2009 u realizojmë 44 mijë arsimtarëve, dyfishimin e rrogave. Mësuesi që merrte 200 mijë lekë rrogë, do të marrë 400 mijë lekë, në mbyllje të mandatit tonë të parë. Do të dyfishohen rrogat e 12 mijë infermierëve. Rritja e rrogave të tyre, për këtë vit do të jetë rreth 14-15 për qind, por skema e hartuar garanton dyfishimin plotë të këtyre rrogave”,- tha Berisha. Përsa i përket rrogëtarëve të tjerë, rritja e dhënë nga qeveria është në nivelet e inflacionit, që prej muajsh ka kaluar objektivin e sipërm të vendosur nga ana e Bankës së Shqipërisë. “Do të rriten rrogat e të gjithë rrogëtarëve të tjerë, për të përballuar inflacionin dhe për të pasur një rritje shtesë. Do të ketë një rritje prej 7 për qind të rrogave të tjera dhe 4 për qind të rrogave të larta”,- tha Berisha.
Pensionet në fshat dhe qytet
Pensionet në qytet, sipas vendimit të fundit të qeverisë, rriten me 10 për qind, ndërsa ato në fshat me 15 për qind. Rritja është që prej datës 1 Korrik dhe, sipas qeverisë, për këtë kategori krijohet mundësia e indeksimit të inflacionit dhe të pasjes së një rritjeje reale. Edhe ndihma ekonomike, që prej datës 1 korrik pëson një rritje prej 10 për qind. Berisha bëri të ditur se, “sipas këtij vendimi, pensionet në fshat, për këtë vit do të rriten me 15 për qind, ndërsa në qytet do të rriten me 10 për qind, duke e çuar pensionin në qytet, jo 100 dollarë, siç ishte premtuar nga qeveria, por 100 euro, duke filluar nga data 1 korrik. Po ashtu, ndihma ekonomike rritet me 10 për qind”.
Kategoria Rritja në datën 1 Korrik (%)
Pensionet ne qytet Rritja 10 %
Pensionet në fshatRritja 15%
Pagat e mësuesve Rritja 14%
Pagat e infermierëve Rritja 14%
Buxhetorët e tjerë me paga të ulëtaRritja 7%
Buxhetorët me paga të larta Rritja 4%
Ndihma Ekonomike Rritja 10%
Vendimi, paga minimale 17 mijë lekë
Qeveria ka vendosur që të rrisë pagën minimale në shkallë vendi, nga 16 mijë lekë që është aktualisht, në 17 mijë lekë. “Por qeveria është e detyruar të mendojë edhe për rrogë-ulëtit e sektorit privat, ndaj ajo shpall vendimin që, nga data 1 Korrik e më tej, nuk do të ketë rrogë nën 170 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë. Kjo nuk është një ndërhyrje në sektorit privat, por rroga minimale e vendit, është një detyrim”,- tha Berisha. Por rritja edhe me detyrim me 1 mijë lekë e pagës minimale në sektorin privat, nuk sjell asgjë të re përsa i përket situatës ekonomike të punonjësve që punojnë me këto paga. Me 1 mijë lekë të reja shtesë në muaj, ose me 34 lekë dita, nuk mund të paguhet më shumë se 1 biletë e shërbimit urban. Kryeministri gjatë fjalës së tij e ka vlerësuar si masë historike, rritjen me 1 mijë lekë të vjetra në muaj pagën për ata që deri më sot kanë të ardhura prej 16 mijë lekësh dhe që pas 1 korrikut do të kenë një pagë 17 mijë lekë. Por, veçse për statistika, vendime të tilla nuk vlejnë për të ndihmuar punonjësit në sektorin privat. Me 4 euro dita këto kategori punonjësish janë në pragun e varfërisë, pavarësisht se kanë një punë. Zgjidhjen për këto paga minimale, që janë në nivelin e varfërisë, nuk e vendos qeveria, por tregu dhe rritja ekonomike. Një vend që është në një krizë papunësie, ku normat e papunësisë janë të frikshme, nuk mund të pretendojë që të ketë paga të larta dhe aq më pak, ato nuk mund të rriten me vendime qeverie. Norma e papunësisë, që sipas Agjencisë së Inteligjencës Amerikane (CIA) kalon 30% të forcës punëtore, është edhe një nga shkaqet që pagat vërtiten në këto nivele.