Ambasadori Sauers: Vendimi i OKB sprek drejtpërdrejt Kosovën
Shefi i misionit të Britanisë së Madhe të OKB-së, ambasadori John Sawers ka shprehur mendimet e tij rreth vendimit që u mor për Kosovën, ai tha se mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do të përcaktojë asgjë, por do të jetë një këshillë për diçka që ka ndodhur në të kaluarën e jo një udhëzim për të ardhmen.
Ambasadori Sawers tha se nuk ka dyshim në ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, dhe as në ligjshmërinë e njohjes së kësaj pavarësie nga Britania e Madhe.
A do të ketë ky votim në Asamblenë e Përgjithshme ndonjë ndikim për Serbinë?
Unë shpresoj se serbët tani do të ecin përpara, dhe do të adresojnë çështjet e vërteta duke arritur deri tek fakti se pavarësia e Kosovës është një realitet dhe nuk do të ndryshojë. Hapi i parë për serbët këtu është që të pranojnë se misioni evropian për drejtësi dhe polici, EULEX, do të operojë në gjithë Kosovën.
Dhe më gjerësisht, se Serbia ka nevojë që të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore në gjithë rajonin, nëse do që të vendoset mirë në rrugën drejt integrimit në BE. Vizioni ynë është se i gjithë rajoni i Ballkanit duhet të integrohet në Evropë dhe ne mbështesim Serbinë, sikurse edhe Shqipërinë dhe Kosovën e gjithë vendet e tjera të rajonit që të ecin në këtë drejtim. Marrëdhëniet e mira me fqinjët është një pjesë e rëndësishme e kësaj për Evropën. Prandaj kjo është një punë që Serbia duhet ta bëjë me partnerët evropianë dhe në rajon.
Por pjesa më e madhe e evropianëve ishte kundër rezolutës serbe. A nuk paraqet kjo një situatë të pafavorshme për Serbinë?
Ne nuk jemi pajtuar me taktikat që ka ndërmarrë Serbia. Ne mendojmë se ata gabuan kur morën këtë rrugë të posaçme. Duke e thënë këtë ne e mirëpritëm drejtimin politik të qeverisë së re në Serbi, që po provon të adresojë çështjet e të kaluarës dhe që të bëhet një vend më modern, ashtu siç kanë bërë shumë vende të tjera në vitet e kaluara. Ashtu siç e thashë, mendoj se Serbia ka nevojë që të përqendrohet në punën me partnerët evropianë dhe të përqendrohet në promovimin e qëndrueshmërisë në rajon më parë se sa të drejtojë vëmendjen, që mendoj se ishte qëllimi i rezolutës së Gjykatës së Drejtësisë që kaloi në Asamble.
Dhe cili do të jetë ndikimi mbi Kosovën pas këtij votimi?
Nuk mendoj se do ta prekë Kosovën drejtpërdrejt. Mendoj se Kosova do të vazhdojë përpjekjet e saj për të kërkuar njohje ndërkombëtare. Janë 48 vende, së bashku me Portugalinë, që e njohu Kosovën një ditë më parë, dhe ne shpresojmë se vendet e tjera, përfshirë edhe ato në rajonin e Ballkanit, do të lëvizin përpara në javët e ardhshme. Mendoj se njohjet e gjëra, nga bota islame, nga Afrika dhe Azia si dhe Amerika Latine, gjithashtu do të ndihmojnë në krijimin e momentit, për të konsoliduar pavarësinë e Kosovës. Prandaj këtu ka shumë punë për udhëheqësit politikë të Kosovës për të bërë. Gjithashtu është me rëndësi që Kosova të përqendrohet në zhvillimin e saj ekonomik dhe të respektojë të gjitha provizionet, të mbrojtjes së pakicave dhe të garancive që janë hartuar në planin Ahtisaari, që është bazë e pavarësisë së Kosovës, të cilin ne e kemi përkrahur fuqishëm.
Tani cilat janë hapat? Çfarë mund të presim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë?
Kjo është një çështje për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ata do të vendosin për procedurat e tyre. Do të marr kohë deri sa të mos jepet mendimi i tyre këshillues. Nuk e di afatin, por duket se do të duhet një vit. Çështja është tek ata dhe ata do të japin mendimin e tyre këshillues. Ne kemi bërë thirrje që qeveria e Kosovës dhe qeveritë e tjera të interesuara të kenë mundësi që të bëjnë paraqitjet e tyre drejtpërdrejt tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ashtu si edhe qeveria e Serbisë. Qeveria ime do të ndihmojë Gjykatën me çdo gjë që mundet për të ardhur deri tek një mendim këshillues racional. Ne nuk kemi dyshim në ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ne nuk kemi dyshim në ligjshmërinë e njohjes së kësaj pavarësie nga Britania. Mendimi këshillues nuk do të përcaktojë asgjë, por do të jetë një këshillë për diçka që ka ndodhur në të kaluarën dhe jo një udhëzim për të ardhmen.