E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paulson: Rreziku për bankat nuk është larguar

Sekretari i Thesarit në Shtetet e Bashkuara, Henry Paulson, paralajmëroi se bankat ende rrezikohen nga falimentimi

Rreziku për bankat nuk është larguar. Sekretari i Thesarit në Shtetet e Bashkuara, Henry Paulson, paralajmëroi se bankat ende rrezikohen nga falimentimi. Ai tha se ato janë të rrezikuara pavarësisht nga paketa 700 miliardë dollarëshe e qeverisë amerikane për t'i ardhur në ndihmë sektorit financiar.

"Edhe me masat e reja të autoriteteve të thesarit, disa institucione financiare do të falimentojnë. Akti i Emergjencës së Stabilizimit Ekonomik nuk ka si objektiv që të shpëtojë çdo institucion financiar thjesht për hir të shpëtimit të tij", tha zoti Paulson.

"Aspekti i dytë i strategjisë sonë ka të bëjë me zbutjen e problemeve në tregjet financiare në rastin e falimentimit të një banke", tha Sekretari amerikan i Thesarit. Ai bëri thirrje për zbatimin e menjëhershëm të planit të miratuar nga Kongresi. Zoti Paulson tha se kriza financiare nuk do të përfundonte shpejt dhe se ende mbeteshin sfida të forta.

REAGIMET E FMN-SË

Paralajmërime të ngjashme bëri edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Megjithatë, krye-ekonomisti i FMN-së, Oliver Blanchard, tha se është ende herët të flitet për recesion.

"Pozicioni ynë është se nuk është e dobishme që të përdorim termin recesion në një kohë kur ritmet mesatare të rritjes në botë janë 3%. Megjithatë, kjo është një shifër shumë e ulët e rritjes ekonomike botërore dhe në të kaluarën kjo mund të ketë qenë në kufijtë e recesionit global", tha zoti Blanchard.

Kurse shefi i FMN, Dominique Strauss-Khan, ka thënë se kriza financiare globale mund të luftohet nëse vendet do të koordinojnë përpjekjet e tyre. Ai parashikon një rritje rreth zero përqindëshit për ekonomitë e avancuar gjatë vitit të ardhshëm.

ISLANDA SHTETËZON NJË BANKË TË TRETË

Autoritetet në Islandë kanë marrë nën kontroll bankën e fundit private, Kaupthing. Ajo është njëkohësisht edhe institucioni më i madh financiar në vend. Rregullatorët financiarë thanë se ky hap ishte i domosdoshëm për të garantuar funksionimin e sistemit bankar në Islandë dhe për të mbrojtur depozitat. Qeveria e Islandës ka kërkuar një hua më shumë se pesë miliardë dollarë nga Moska për të përballuar situatën e rëndë financiare.

BURSAT

Tregjet evropiane përjetuan rritje një ditë pasi vendet kryesore perëndimore shkurtuan normat e interesit dhe injektuan sasira të mëdha kapitali në tregjet e tyre financiare.

Bursat e rifituan një pjesë të humbjeve të mëdha të së mërkurës pasi vendet më të mëdha perëndimore ulën përqindjen e interesave dhe hodhën sasi të mëdha parash në tregjet financiare.

Bursa e Londrës, e cila të mërkurën humbi 5% të vlerës, shënoi rritje. Vlera e aksioneve në bursën e Parisit u rrit me afro 2%. Edhe bursat e Azisë kanë filluar të stabilizohen. Banka e Japonisë iu bashkua bankave qendrore të disa vendeve perëndimore dhe hodhi në treg 40 miliardë dollarë për të ndihmuar sektorin financiar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›