E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: Situata e turbullt ulë disa shkallë në vlerësimin

26/04/2010 Eurobondi 400 milionë euro, normë interesi deri në 7.5%

Situata politike që po kalon vendi ynë do të ndikojë negativisht në vlerësimin e eurobondit të parë shqiptar. Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, deklaroi lidhur me këtë fakt se "në vlerësimin e kredive firmat që bëjnë vlerësimet përpiqen të shikojnë dhe mundësitë e shlyerjes së kësaj kredie, dhe pa dyshim çdo lloj krize sposton nga boshti programet qeveritare. Për pasojë çdo situatë e turbullt në mjedisin politik të ulë disa shkallë më poshtë në vlerësimin që këto firma të bëjnë”. Duke pasur parasysh edhe afatin në të cilin do të realizohet emetimi, Beqja thekson se të gjithë këta faktorë ndikojnë dhe do të ndikojnë në muajin maj në momentin kur të kryhet ky veprim. Me miratimin e emetimit të eurobondit shqiptar vendi ynë përfshihet për herë të parë në tregjet financiare ndërkombëtare, duke krijuar mundësinë që me këtë instrument të listohet edhe në bursën e Londrës. Eurobondi me vlerë deri në 400 milionë euro, që qeveria shqiptare do të emetojë në tregun ndërkombëtar, do të ketë një normë interesi deri në 7.5 për qind dhe do të merret për një afat 5-vjeçar. Shqipëria synon të përdorë këtë hua për të siguruar gjithë investimet e këtij viti dhe shlyer borxhin e marrë vitin e kaluar për përfundimin e rrugës Durrës-Kukës. Nëpërmjet këtij instrumenti, Shqipëria do të vendoset në hartën e tregjeve ndërkombëtare të kapitalit. Eurobondi ynë do të tregtohet rregullisht në këto tregje dhe do te shërbejë si një indikator agregat ndër vite i profilit investues dhe i performancës së ekonomisë sonë në tërësi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›