E Diel, 1 Nëntor 2026

Afat deri më 30 prill kompanive, të heqin kabllot përgjatë rrugëve

26/04/2010 Ultimatumi nga Bashkia Shkodër: Prishin imazhin e qytetit dhe janë pa leje

SHKODER- Bashkia Shkodër u ka bërë thirrje të gjithë kompanive të ndryshme, që kanë shtrirë kabllot për gjatë ndriçuesve dhe pemëve të qytetit që të heqin ato vullnetarisht deri më datë 30 prill. Në të kundërt pas kësaj date, Bashkia nuk do të mbajë përgjegjësi për heqjen e tyre apo dhe pasojat që mund të vijnë nga ky veprim. Sipas drejtuesve të Bashkisë së Shkodrës, kohët e fundit është konstatuar se disa kompani të ndryshme kanë bërë shtrirjen e disa kabllove në një sërë ndriçuesish rrugor apo pemë dekorative. Këto veprime, jo vetëm që janë bërë në mënyrë abuzive, duke mos marrë miratimin e Bashkisë së Shkodrës, por ato po e shëmtojnë i çdo ditë e më shumë imazhin e qytetit tonë. Njëkohësisht Bashkia e Shkodrës i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë dhe të mos dëmtojnë një sërë koshash të vegjël për hedhjen e mbeturinave, të vendosur këto ditë përgjatë të gjithë pjesëve anësore të trotuareve të rrugëve kryesore. Drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës shprehen se ky investim është bërë në saje të grumbullimit të detyrimeve që familjet shkodrane derdhin pranë kësaj Bashkie, ndaj dhe vetë ata duhet jo vetëm të mos dëmtojnë koshat e mbeturinave, por edhe të njoftojnë për çdo rast tentative për vjedhjen, apo shkatërrimin e tyre. Pas këtij investimi, Bashkia e Shkodrës ka premtuar vendosjen e koshave për hedhjen e mbeturinave edhe në pjesët e gjelbëruara të qytetit. Iniciativat më të fundit të Bashkisë së Shkodrës po bëhen në kuadër të angazhimit për krijimin e një imazhi sa më bashkëkohor të qytetit, si dhe mbajtjen pastër të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›