E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: “Të dhënat e buxhetit 2009 tregojnë se ekonomia është në krizë”



Deputeti i Partisë Socialiste, njohës i mirë i ekonomisë, Ilir Beqja, shprehu shqetësimin për mbretërimin e krizës ekonomike në vend, duke u ndalur te buxheti i shtetit. Socialisti Beqja u është referuar të dhënave publike të realizimit faktik të buxhetit të vitit 2009. Ai ka renditur një seri të dhënash që konstatojnë krizën ekonomike në vend, por që qeveria heziton ta pranojë. Sipas deklaratës së deputetit Beqja, të hyrat në buxhetin e shtetit janë ulur, fitimet e kompanive shqiptare, të ardhurat e biznesit të vogël janë më të ulëta kundrejt vitit 2008. Ndërsa të ardhurat e tatimit mbi vlerën e shtuar në vitin 2009 janë më të larta se në vitin 2008.
Deklarata
Duke iu referuar të dhënave të deputetit Beqja, gjithë atmosfera e përshkruar për krizën ekonomike nuk përkon me deklaratat dhe shifrat e kreut të Ekzekutivit, Sali Berisha. “Mund të vazhdoj të rendis shumë të dhëna që dëshmojnë se Shqipëria është në krizë. Por, në fakt, ky nuk është më lajm i ri. Krizën e ndiejnë sipërmarrjet shqiptare, e ndien biznesi i vogël, e ndiejnë më së shumti familjet shqiptare. Kriza është ulur këmbëkryq, por ç’është më e keqja, Sali Berisha vazhdon ta fshehë e të mashtrojë me të dhënat zyrtare”, - u shpreh Beqja, duke shtuar se “për Partinë Socialiste, kriza ekonomike nuk lidhet me asnjë koniunkturë ndërkombëtare, por me politikat e gabuara ekonomike të 4 viteve të fundit. Për më tepër, për Partinë Socialiste, fshehja e krizës është më e rëndë se vetë kriza”.
Të dhënat
Beqja deklaroi se të dhënat e të hyrave fiskale provojnë se ekonomia shqiptare është në krizë, ashtu siç e ka paralajmëruar prej një viti Partia Socialiste. Sipas deputetit Beqja, të hyrat në buxhetin e shtetit janë rritur vetëm 2.7% kundrejt vitit 2008, duke shënuar rekordin historik më të keq në 10 vitet e fundit. Ai tha se të hyrat publike janë realizuar 11% më pak se plani fillestar, duke krijuar një deficit 357 milionë dollarë. Sipas deputetit Beqja, kjo është dëshmia më e qartë se buxheti fillestar ishte një mashtrim i madh që do t’i paraprinte krimit elektoral të 28 qershorit. Ai tha se fitimet e kompanive shqiptare në vitin 2009 janë 5.3% më të ulëta se në vitin 2008, të ardhurat e biznesit të vogël në vitin 2009 janë 3.8% më të ulëta se në vitin 2008. Ndërsa të ardhurat e tatimit mbi vlerën e shtuar më vitin 2009 janë vetëm 2.7% më të larta se në vitin 2008. “Kjo rritje zerohet vetëm nga rritja e inflacionit duke dëshmuar se në Shqipëri nuk ka rritje reale të ekonomisë”, - u shpreh Beqja.

Box
Sipas të dhënave të buxhetit 2009, ku është mbështetur Partia Socialiste, të hyrat në buxhetin e shtetit janë rritur vetëm 2.7% kundrejt vitit 2008. Të hyrat publike janë realizuar 11% më pak se plani fillestar, duke krijuar një deficit 357 milionë dollarë. Fitimet e kompanive shqiptare në vitin 2009 janë 5.3% më të ulëta se në vitin 2008, të ardhurat e biznesit të vogël në vitin 2009 janë 3.8% më të ulëta se në vitin 2008. Ndërsa të ardhurat e tatimit mbi vlerën e shtuar më vitin 2009 janë vetëm 2.7% më larta se në vitin 2008.

Buxheti Fillestar 27 nentor 2008 334,821
Buxheti Suplementar 28 shtator 2009 326,117
Akti Normativ 23 dhjetor 2009 319,893
Realizmi Faktik 31 dhjetor 2009 299,128 89%

-35,693 -11%

6 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›